Studimi: Alkooli shkakton katër përqind të të gjitha kancereve.
Rreth katër përqind a e të gjitha kancereve shoqërohen me konsumimin e alkoolit, sipas një ekipi ekspertësh të cilët kanë studiuar ndikimin e alkoolit në zhvillimin e kancerit në nivel global, transmeton Gazeta Express.
E shprehur në numër, 741,000 raste të kancerit në vitin 2020 janë të lidhura me zakone të pashëndetshme të konsumimit të alkoolit, raportuan autorët e studimit.
Studimi mbi lidhjen mes alkoolit dhe rrezikut të kancerit u krye nga një ekip ekspertësh të udhëhequr nga Harriet Rumgay i Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit (IARC). Studimi u botua në korrik në The Lancet Oncology.
Burrat preken më shumë se gratë
Burrat janë më të prekur se gratë dhe përbëjnë tre të katërtat e numrit të përgjithshëm të rasteve.
Përqindja e vlerësuar e kancerit e lidhur me alkoolin është veçanërisht e lartë në Evropën Lindore dhe Azinë Lindore me rreth 6 përqind, me Afrikën e Veriut dhe Azinë Perëndimore që kanë normat më të ulëta.
Në mesin e pacientëve janë kryesisht njerëz që konsumojnë sasi të mëdha të alkoolit. Por edhe konsumatorët e moderuar zënë një pjesë të konsiderueshme, rreth 14 përqind; këta janë njerëz që pinë rreth 20 gramë alkool në ditë, që është rreth dy gota vere ose gjysmë litër birrë.
“Konsumi i alkoolit shoqërohet me një numër të madh të lëndimeve dhe rasteve të sëmundjeve, përfshirë kancerin, dhe është faktor kryesor i rrezikut për sëmundjen”, tha studimi.
Alkooli dëmton ADN-në e njeriut dhe ndikon në ekuilibrin hormonal, i cili mund të kontribuojë në zhvillimin e kancerit, paralajmërojnë autorët e studimit. Llojet më të zakonshme të kancerit të shoqëruara me konsumimin e alkoolit janë kanceri i ezofagut, kanceri i mëlçisë dhe, te gratë, kanceri i gjirit. Këto kancere shkaktuan vdekjen e 3.3 milionë njerëzve në të gjithë botën në vitin 2020.