Boksieri nga Shqipëria, Amar Koqi triumfon në edicionin e 15-të të turneut “Lah Nimani”.
Me organizim të Federatës së Boksit të Kosovës, është mbajtur edicioni i 15-të i turneut ndërkombëtar të boksit, “Lah Nimani”.
Sivjet, përveç garuesve nga Kosova, morën pjesë edhe ata nga Shqipëria, Bullgaria e Maqedonia e Veriut.
Në finale u zhvilluan 11 meçe, në kategoritë nga 48 kilogramë deri në 80 kilogramë.
Gjatë këtyre dy ditëve u zhvilluan mjaft duele interesante me boks të mirë dhe cilësorë. Pas dueleve interesante, të cilat dhuruan spektakël para të pranishmëve në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, në fund u shpallën më të mirët.
Epitetin e kampionit të këtij edicioni e fitoi Amar Koqi nga Shqipëria. Trofeun e më të mirit ia dorëzoi Istrefi, i biri i Lah Nimanit.
Tekniku më i mirë u shpall Ivan Hristov nga Bullgaria dhe trofeun e pranoi nga presidenti i Federatës së Boksit të Kosovës, Enver Krasniqi.
Dy legjendat e boksit, Aziz Salihu dhe Fatmir Makolli, i ndanë çmimet për çiftin më luftarak, epitet që e mori dyshja Lumturim Xhoxhaj nga Kosova dhe Ardian Rrustemovski nga Maqedonia e Veriut.
Boksieri më i mirë i huaj u shpall Ruzhdi Rrustemovski nga Maqedonia e Veriut, i cili e pranoi çmimin nga nënkryetari i Federatës së Boksit në Maqedoninë e Veriut, Faton Salihu.
Trofeu i boksierit më Fair-Play u dorëzua nga ish-boksieri, Muharrem Gjocaj, dhe shkoi në duart e Benjamin Devës nga Kosova.
Në këtë turne u nda edhe çmimi për boksierin më perspektiv, të cilin çmim nënkryetari i Federatës së Boksit të Kosovës, Sylejman Voca, e dorëzoi te maqedonasi, Bajram Mamutovski.
Ky ishte edicioni i 15-të, i turneut të boksit “Lah Nimani” kushtuar strategut të njohur kosovar të boksit, i cili e kishte drejtuar klubin e Prishtinës drejt 5 titujve të kampionit dhe 6 tjerë të nënkampionit në ish-Jugosllavi.
Ky turne u organizua nga Federata e Boksit në bashkëpunim me Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport.