Ambasada Amerikane: Pavarësia e Kosovës është fakt i kryer, kundërshtojmë kategorikisht çdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje

14:54 | 05 January 2023

Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka thënë se pavarësia e Kosovës është fakt i kryer dhe se kundërshtojnë çdo përpjekje për të vënë në pikëpyetje atë.

Në një reagim të Ambasadës në Twitter, thuhet se qëllimi parësor i tyre është të mbështesim Kosovën për të zënë vendin e saj të merituar në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

“Të jemi të qartë: Pavarësia e Kosovës është fakt. Qëllimi ynë parësor është të mbështesim Kosovën që ajo të zë vendin e saj të merituar në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Ne kundërshtojmë kategorikisht çdo përpjekje për të vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”, thuhet në postimin e Ambasadës së SHBA-së në Twitter.

Ky postim është shpërndarë edhe nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Ky postim pasoi pas raportimeve se me llogarinë e tyre në Twitter është bërë një pëlqim në një lajm ku flitet për “çnjohjen e Kosovës nga 9 vende”.

Kujtojmë se ishte presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ai i cili mbrëmë ka thënë se po pret të ndodh edhe tërheqja e njohjes së dhjetë për Republikën e Kosovës.

Ai ka thënë se nëntë shtete tashmë kanë tërhequr njohjet për Kosovën.

Pretendimet e Vuçiq mbesin të pambështetura si dhe është e paqartë nëse tërheqja e njohjes ekziston si akt në praktikat e marrëdhënieve mes shteteve dhe në të drejtën ndërkombëtare.

Komento: