Ambasada britanike për aksionin e policisë për mbylljen e strukturave paralele: I kemi kërkuar qeverisë të veprojë në përputhje me ligjin

19:38 | 15 January 2025
ambasada-britanike-per-aksionin-e-policise-per-mbylljen-e-strukturave-paralele:-i-kemi-kerkuar-qeverise-te-veproje-ne-perputhje-me-ligjin

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka reaguar lidhur me aksionin e sotëm për mbylljen e strukturave paralele serbe.

Në reagimin e tyre thuhet se i kanë kërkuar qeverisë së Kosovë që të veprojë në përputhje me ligjin.

”Mbretëria e Bashkuar është e shqetësuar nga veprimet e sotme në strukturat paralele të Serbisë në mbarë Kosovën. Ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të sigurojë që këto veprime të kryhen në përputhje me kornizën e saj ligjore, por edhe që ato të marrin parasysh faktin se shumë serbë të zakonshëm të Kosovës, duke përfshirë edhe më të cenuarit, vazhdojnë të mbështeten në këto institucione për shërbime”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Më tutje thuhet se angazhimi konstruktiv, nga qeveritë e Serbisë dhe Kosovës, përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, duke përfshirë zbatimin e plotë të Marrëveshjeve të Brukselit dhe themelimin e ASMM-së, është mënyra më e mirë për të adresuar këto çështje.

Ndryshe, Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet kompetente të mërkurën ka realizuar një aksion policor në disa rajone të Kosovës.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka njoftuar se janë mbyllur strukturat paralele “kriminale” të Serbisë në Republikën e Kosovës.

Sipas ministrit, komunat paralele të Serbisë janë mbyllur në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë-Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyreve tatimore ilegale.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se nuk ka lëshuar autorizim për bastisjet në objektet e strukturave paralele.

Komento: