Britanikët janë shprehur kundër konkursit për zgjedhjen e kryesuesit të ZRRE-së, duke thënë se nuk i harxhojnë parat e tyre më.
Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për të mos votuar asnjërin prej kandidatëve të rekomanduar nga Ambasada Britanike për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji ka nxitur reagime të ashpra nga zyra e ambasadorit Ruari O’Conell.
Si pasojë e kësaj Ambasda Britanike në Prishtinë nuk do të mbështesin më përseritjen e procesit të rekrutimit për pozitën e njëjtë, shkruan Gazeta Express.
Ata thonë se kujdesen se si i shpenzojnë paratë e taksapaguesve britanik, dhe se nuk do të organizojnë më një proces rekrutues, kur nuk ka asnjë arsye të vetme për t’u përsëritur procesi.
Sipas Ambasadës Britanike, kandidatët e rekomanduar ishin përzgjedhur përmes një procesi profesional dhe se kishin plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme për të ushtruar pozitën e Kryesuesit të Bordit të ZRRE-së.
“Kandidatët e rekomanduar ishin përzgjedhur përmes një procesi të mirë-strukturuar, profesional dhe meritokratik. Ata kishin plotësuar të gjitha kriteret dhe kishin treguar që posedojnë kompetencat e duhura për të ushtruar pozitën e Kryesuesit të Bordit të ZRRE-s”, thuhet në komunikatë.
Sipas Ambasadës së Britanisë së Madhe vendimi i Kuvendit të Kosovës për të mos votuar asnjërin prej kandidatëve të propozuar vë në dyshim angazhimin e deputetëve për të emëruar njerëz profesional në pozita që duhet të jenë të pavarura dhe që janë jetike për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës.
Reagimi i plotë:
Ambasada Britanike tërheqë mbështetjen për rekrutimin e pozitës së Kryesuesit të Bordit të ZRRE-së
Ambasada Britanike është e zhgënjyer me vendimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të datës 28 shkurt, për mos-votimin e asnjërit prej kandidatëve të rekomanduar nga partneri zbatues i Projektit të Rekrutimit në pozitën e Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE). Dështimi i deputetëve të votojnë njërin nga kandidatët e rekomanduar, ka rezultuar me ri-shpalljen e konkursit për këtë pozitë. Andaj, ne publikisht njoftojmë se projekti ynë nuk do të mbështesë ri-përsëritjen e procesit rekrutues për pozitën e njejtë të Kryesuesit të Bordit të ZRRE-së. Ambasada Britanike është shumë e kujdesshme se si i shpenzon paratë e taksa-paguesve Britanikë. Ne nuk do të financojmë procese rekrutuese shtesë, kur nuk ka arsye përse ato të përsëriten përveç mungesës së vullnetit për të emëruar kandidatë të përgatitur.
Kandidatët e rekomanduar ishin përzgjedhur përmes një procesi të mirë-strukturuar, profesional dhe meritokratik. Ata kishin plotësuar të gjitha kriteret dhe kishin treguar që posedojnë kompetencat e duhura për të ushtruar pozitën e Kryesuesit të Bordit të ZRRE-së. Pavarësisht një procesi të tillë rekrutues transparent, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kishin votuat asnjërin nga kandidatët e rekomanduar. Ky dështim në emërimin e njërit nga kandidatët e rekomanduar është në kundërshtim me Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës. Ky vendim gjithashtu vë në dyshim qëllimin dhe vullnetin politik të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për emërime profesionale në pozita të larta drejtuese në institucione të cilat do të duhej të ishin të pavaruara, dhe sektorë me rëndësi jetike për resurset dhe ekonominë e Kosovës.
Në rastin e Komisionit për Ndihmë Shtetërore, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë emëruar pesë kandidatët e rekomanduar nga partneri zbatues, që tregon se kur ka vullnet, emërimet mund të bëhen bazuar në meritë.