Ambasada e Francës kundër mbylljes së zyrave postare serbe në veri: Hap i njënashëm dhe i pakoordinuar

23:47 | 06 Gusht 2024
ambasada-e-frances-kunder-mbylljes-se-zyrave-postare-serbe-ne-veri:-hap-i-njenashem-dhe-i-pakoordinuar

Mbylljen e nëntë objekteve të Postës së Serbisë të hënën në veri të vendit, Bashkimi Evropian e konsideroi si hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar, “i cili shkel marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”. Pro qëndrimit të BE-së ka dalë edhe Ambasada e Francës në Kosovë.

“Franca e mbështet plotësisht deklaratën e djeshme të BE-së për mbylljen nga autoritetet e Kosovës të nëntë objekteve postare të degëve të Serbisë në veri të Kosovës. Ky është një hap tjetër i njëanshëm dhe i pakoordinuar, i cili nuk është në përputhje me dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe dëmton komunitetin serb”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Aksioni policor për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë u zhvillua më 5 gusht, kur u mbyllën nëntë objekte.

Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq u mbyllën nga tri objekte, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok.

Nga Policia e Kosovës thanë se aksioni u zhvillua pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Komento: