Ambasada e SHBA-së kujton ditën kur misioni amerikan në Prishtinë u bë zyrtarisht Ambasadë, 18 vjet më parë

13:05 | 08 Prill 2026
ambasada-e-shba-se-kujton-diten-kur-misioni-amerikan-ne-prishtine-u-be-zyrtarisht-ambasade,-18-vjet-me-pare

Më 8 prill 2008, 18 vjet më parë, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë zyrtarisht Ambasada e SHBA-së në Prishtinë. Ky ndryshim pasoi njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara më 18 shkurt 2008, vetëm një ditë pas shpalljes historike të pavarësisë së Kosovës.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, përmes një postimi ka kujtuar ditën kur misioni i SHBA-së në Prishtinë u shndërrua zyrtarisht në Ambasadë 18 vjet më parë – më 8 prill 2008.

“Me Kosovën zyrtarisht si shtet të pavarur dhe me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, hapi tjetër ishte të pasqyrohej kjo marrëdhënie në praninë tonë diplomatike. Më 8 prill 2008, statusi i Misionit të SHBA-së në Prishtinë ndryshoi zyrtarisht nga Zyra e SHBA-së në Ambasadë të SHBA-së. Si rezultat, titulli zyrtar i misionit u bë Ambasada e SHBA-së në Prishtinë”, shkroi Ambasada Amerikane në një postim në Facebook.

“Ky ndryshim erdhi pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës më 18 shkurt 2008, një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. #Freedom250 #AmericanExcellence #KosovoJourneyToFreedom”, shkroi Ambasada e SHBA-së.

Shtetet e Bashkuara hapën për herë të parë Zyrë të Shërbimit të Informacionit të SHBA-së në Kosovë në vitin 1996. Mes viteve 1999-2008, Zyra e SHBA-së në Prishtinë funksionoi si misioni diplomatik i Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Shtetet e Bashkuara krijuan zyrtarisht marrëdhënie diplomatike me Kosovën dhe Zyra u bë Ambasadë.

Komento: