Ambasadorët e QUINT-it i shkojnë Kurtit në zyrë para mbledhjes së Qeverisë

16:43 | 28 October 2022

Ambasadorët shkuan te Kurti para mbledhjes së Qeverisë, çka pritet tash?

Një orë para se Kryeministri Albin Kurti të nis me mbledhjen e Qeverisë, ambasadorët e QUINT-it shkuan në objektin e Qeverisë, raporton Gazeta Express.

Kurti u ka thënë sot gazetarëve se rreth afatit për targa dhe për ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve në raportet me Serbinë, flet sot nga Qeveria.

Nuk dihet nëse në takimin e fundit, diplomatët perëndimorë arritën ta bindin Kryeministrin Kurti që të shtyjë afatin për konvertimin e targave të lëshuara ilegalisht nga Serbia.

Një javë më parë, ambasadorët e QUINT-it i çuan Kurtit kërkesën për shtyrjen e afatit për zbatimin e vendimit për targat.

Deri tani, Kurti ka lënë të kuptohet se nuk do ta shtyjë afatin dhe prej 1 nëntorit do të nis zbatimi i vendimit për moslejimin e qarkullimit të automjetëve me targa të lëshuara ilegalisht nga Serbia.

Lista Serbe, që përfaqëson serbët e Kosovës në institucione, ka shkuar të enjten në Beograd për takim me Presidentin serb Aleksandër Vuciq. Nga atje, kreu i LS, Goran Rakiq, ka paralajmëruar “rezistencë paqëesore”, duke thënë se “nuk e di cka mund të ndodhë më tej”.

Ndërkombëtarët kanë thënë se është legjitim dhe i drejtë vendimi i Kosovës për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit në lidhje me targat, por po kërkojnë shtyrje të afatit, për t’i evituar tensionet e mundshme në veri të vendit.

Kryeministri Kurti i është bindur kërkesës së ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, më 31 korrik, kur pak orë para se të hynte në fuqi vendimi për targat dhe dokumentet, në veri nisen tensionet.

Kurti atëherë e pezulloi vendimin për një muaj, ndërsa në shtator dha 2 muaj konë për konvertimin e targave.

Përgjatë kësaj kohe, Qeveria e Kosovës u angazhua me një fushatë për qytetarët serbë, për t’i informuar rreth konvertimin të targave.

Komento: