Ambasadorët e QUINT-it i shkojnë në zyrë Kurtit, ja çfarë biseduan

17:55 | 21 Tetor 2022

Kurti, ambasadorëve të QUINT-it: Vendimi për targat nuk është i drejtuar kundër serbëve të Kosovës.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, priti në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Kurti, në lidhje me vendimin për targat, u tha ambasadorëve se ky vendim nuk është i drejtuar kundër serbëve të Kosovës.

“Nëpërmjet tij dhe me ftesën tonë të hapur për të konvertuar targat e tyre në ato legale dhe zyrtare, edhe po respektojmë sundimin e ligjit edhe po u japim lehtësime financiare” tha Kurti.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në vend, procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për çështjet aktuale, me theks te energjia dhe vendimi i Qeverisë për targat të veturave.

Për sa i përket temës së dialogut, në takim u diskutua për elementet e ndryshme në kornizën themelore të marrëveshjes së ardhshme për të cilën Kurti tha që duhet ta sjellë normalizimin e plotë me njohjen reciproke në qendër.

Kujtojmë se edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar ambasadorët e QUINT-it, ku sipas raportimeve, ambasadorët i kanë dorëzuar Vuçiqit një dokument të përbashkët në të cilin shprehin shqetësimin e tyre për prishjen e mundshme të stabilitetit në rajon, në prag të afatit për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në Kosovë.

Komento: