Ambasadori amerikan del i ‘tërbuar’ nga takimi i sotëm

15:18 | 31 Janar 2019

Takimi që është mbajtur sot në mes të krerëve të shtetit dhe Ambasadorit amerikan duket të ketë përfunduar në mosmarrëveshje meqenëse raportohet për një revoltë të Kosnett ndaj vendimeve të Kryeministrit.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ka lëshuar takimin me liderët institucionalë, i cili është mbajtur mëngjesin e sotëm, i nervozuar nga refuzimi i Kryeministrit Ramush Haradinaj për pezullimin e taksës dhe rifillimin e Dialogut.

Burime të RTK-së thonë se Ambasadori Kosnett është ngritur demonstrativisht dhe ka përplasur derën, teksa është larguar nga takimi që kishte për qëllim diskutimin për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Kjo është edhe arsyeja pse liderët kosovarë sot mbeten më gjatë në takim, e nuk dolën përnjëherë me Ambasadorin e SHBA-së.

Në këtë takim me Presidentin Hashim Thaçi, Kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj, siç mësohet, Ambasadori Kosnett ka bërë të qartë se ekzistojnë vetëm dy rrugë. E para, pezullimi i taksës, që nënkupton qëndrimin e SHBA-së përkrah Kosovës deri në fund. E dyta, vendosja e menjëhershme e sanksioneve të SHBA-së për Kosovën, që nënkupton dëmtimin serioz të raporteve mes dy vendeve. Qeveria e Kosovës, më 21 nëntor, ka vendosur taksë 100 % për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Që nga ajo ditë, Kosova është duke u përballuar me presionin e SHBA-së dhe BE-së për pezullimin e taksës dhe shfrytëzimin e mundësisë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve.

Komento: