
Hovenier i pret sërish në rezidencën e tij “Ekipin e Unitetit”, këtë herë i bashkohet edhe ish-këshilltari i Ahtisarit.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka mbledhur për drekë në rezidencën e tij “Grupin e Unitetit”, që ka qenë ekipi negociues i Kosovës në Vjenë, negociata këto që i kanë paraprirë shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, shkruan Reporteri.
Hovenier ka publikuar fotografinë e përbashkët me Enver Hoxhajn, Ardian Gjinin, Agim Çekun, Fatmir Sejdiun, Skënder Hysenin, Lutfi Hazirin dhe Blerin Shalën.
Aty i ftuar ka qenë edhe Kai Sauer, i cili ka qenë ish-këshilltar i Ahtisarit gjatë procesit të negociatave të Vjenës, që kanë pasur shpalljen e pavarësisë së Kosovës, derisa aktualisht është nënsekretar i Finlandës për Punë të Jashtme dhe Siguri.
Në postimin e bërë, Hovenier ka treguar se kanë biseduar për punën gjatë viteve 2006-2007 në Kosovë.
“Ne diskutuam për punën punën tonë kolektive në 2006-07 dhe përkushtimin tonë për suksesin e vazhdueshëm të Kosovës”, ka shkruar diplomati amerikan.
Theksojmë se edhe në fund të muajit maj, ambasadori i kishte pritur në rezidencë “Grupin e Unitetit” ku ishte diskutuar për të ardhmën e Kosovës.