Situata në veri, Ambasadori amerikan i shkon Kurtit në zyrë.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është parë duke hyrë në zyrën e kryeministrit Albin Kurti.
Kryeministri Kurti dhe Ambasadori Hovenier kanë pasur takime të përjavshme. Situata e krijuar në veriun e Kosovës prej fillimit të dhjetorit është raportuar t’i ketë shpeshtuar ato.
Mesditën e së mërkurës, sipas raportimit të Ekonomia Online, Ambasadori amerikan është parë duke hyrë në objektin kryesor të Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Kurti ka folur lidhur me situatën në veri për mediumin britanik “The Guardian”, ku ka thënë se barrikadat s’mund të tolerohen edhe shumë gjatë, por se heqja e tyre mund të shkaktojë viktima.
Ai ka shtuar se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë të një mendje për heqjen e barrikadave, por se edhe ata janë të shqetësuar se si do të përdoret kjo situatë.
“Shqetësimi ynë [është] se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat. Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe se paqja e siguria të jenë në vend. Megjithatë, këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë nuk mund ta lejojmë përjetë. Pra, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë. BE-SHBA të gjitha pajtohen që barrikadat duhet të hiqen”, ka thënë Kurti.