Ambasadori amerikan: Kosova arrin sukses kur udhëheqin gratë

15:34 | 18 March 2019

Kosova ka një pjesëmarrje të ulët të grave në punë dhe sipas statistikave vetëm 18 për qind e grave janë fuqi puntore.

Kështu u tha sot në ceremoninë e përmbylljes së projektit të KUSA-s “Eliminimi i barrierave për mundësi të barabarta, ku u diskutua për rëndësinë e rolit të gruas në pozita vendimmarrëse dhe punësimin e grave, duke i dhënë fund diskriminimit gjinor në Kosovë.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, deklaroi se Kosova arrin sukses kur gratë udhëheqin dhe shembull i tillë i udhëheqjes së fuqishme është ish-presidentja Atifete Jahjaga, e cila ka zhvilluar një fushatë për njohjen e Kosovës në botë, dhe për të drejtat e grave të dhunuara.

“Me 18 për qind të grave në fuqi punëtore, Kosova ka pjesëmarrjen e ulët të grave në punë. Kjo nuk është sfidë vetëm në Kosovë. Burrat përreth jush nuk po presin derisa janë tamam të gatshëm për të aplikuar për një punë, hulumtimet kanë treguar se gratë aplikojnë vetëm kur i plotësojnë të gjitha kushtet. Njerëzit që janë në pozita udhëheqëse e kanë obligim të ndihmojnë brezin e ardhshëm, se t’u japin dorën atyre që janë më poshtë. Jam i bindur qe Kosova do të përparojë në barazi gjinore”, u shpreh diplomati amerikan.

Ndërsa, ish-presidentja Atifete Jahjaga tha se përmes këtij projekti ofrohet mundësi për të ndjekur trajnime në fusha të ndryshme në rrethanat aktuale në Kosovë.

“Diskriminimi në baza gjinore dekurajon gruan në Kosovë. Ka shume raste kur në intervista pune gratë pyeten për statusin familjar. Gratë diskriminohen në punë. Gjinia determinon edhe pagën, paguhen më pak se burrat. Gjatë karrierës sime jam përpjekur të inkurajoj gratë, duke mbështetur ambiciet profesionale të grave”, tha Jahjaga./Indeksonline/

Komento: