Pas deklaratës se janë fajtorë edhe sebët edhe kosovarë, vazhdon polemika e amasadorit amerikan me politikanët serbë, e së fundi reagim ka bërë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar vuçiq.
Pas një polemike të djeshme ndërmjet ambasadorit të SHBA-ve në Serbi Kyle Scott dhe ministrit të brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq, sot ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ai është shprehur i befasuar me deklaratën e ambasadorit Scott që thotë se të dy palët edhe ajo kosovare edhe ajo serbe janë fajtore, duke thënë se Serbia nuk është fajtore për asgjë, shkruan lajmi.net.
“Jam i befasuar me deklaratën e Scottit. Përmbaju o burrë. Po thonë se jemi bashkëfajtorë. Më thuaj për çfarë jemi ne fajtorë”, ka thënë Vuçiq, duke iu drejtuar diplomatit amerikan gjatë një interviste të tij.
Vuçiq është ndalur tek taksa duke thënë se Serbia nuk ka marrë masa kundër Kosovës pas vënies së tarifës 100 për qind për produktet serbe.Vuçiq gjithashtu ka thënë se ka marrë kritika nga zyrtarët e lartë amerikanë si Wess Mitchell e MattheW Palmer, se ai ka qenë i padrejtë në kontekstin e dialogut me Kosovën, sepse për shkak të qëndrimit të Serbisë shumë shtete kanë tërhequr njohjen ndaj Kosovës.
Dje një polemikë e tillë ka ndodhur edhe mes ministrit të brendshëm serb Nebojsha Stefanoviq dhe ambasadorit të SHBA-ve në Serbi, Kyle Scott, i cili insiston kundër politikanëve serbë se Kosova nuk është e vetmja fajtore në këtë debat.
“Mendoj se nuk është e dobishme të fajësohet vetëm njëra palë, ka shumë faj tek të dy anët, por zgjidhja nuk është të adresojmë fajin në anën tjetër, por të kthehemi në tryezën negociuese”, tha dje Scott.
Sipas tij është e nevojshme të kthehet dialogu në normaliteti dhe me seriozitet të punohet për të gjetur zgjidhjen e problemit midis Kosovës dhe Serbisë, për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.Në anën tjetër, Stefanoviq iu është kundërpërgjigjur duke thënë se Serbia nuk është fajtore për asgjë dhe se fajin e ka të gjithin Kosova.
“Ne nuk kemi vënë taksë për askënd, asnjëherë, ato janë futur nga autoritetet e Prishtinës. Gjithashtu, ata nuk përmbushën asnjë nga ato marrëveshje që nënshkruar në marrëveshjen e Bruskelit për pesë vjet dhe për fat të keq autoritetet e Prishtinës nuk tregojnë asnjë shenjë se duan kompromis me Serbinë”, tha Stefanoviq.
Ky i fundit ka shtuar gjithashtu se në Kosovë presin që serbët të plotësojnë gjithçka që Kosova do, por kjo është e pamundur, pasi një kompromis i tillë është i papranueshëm për palën serbe.
E sot edhe presidenti i Serbisë, Vuçiq nuk është përmbajtur në deklaratën e tij kundër ambasadorit Scott.
Ndërsa në anën tjetër, ambasadori i SHBA-ve në Serbi, Kyle Scott ka insistuar se faji qëndron tek të dy palët dhe ka ftuar të dy palët të kthehen në tryezën e diskutimeve.