Ambasadori amerikan: Nuk do t’ia lëmë Bosnje e Hercegovinën Rusisë

13:46 | 27 Gusht 2022

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja janë shprehur mjaft qartë për angazhimin e tyre ndaj sovranitetit, integritetit territorial dhe karakterit shumetnik të Bosnje e Hercegovinës (BeH), thotë ambasadori amerikan në këtë vend, Michael Murphy një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson se Rusia nuk pyetet, kur bëhet fjalë për vendimet e marra nga Bosnje e Hercegovina në lidhje me marrëdhëniet brenda marrëveshjeve, qoftë kur bëhet fjalë për anëtarësim në Bashkimin Evropian apo për anëtarësim në NATO. Sipas tij, sjellja e atyre vendimeve i takon Bosnje e Hercegovinës sovrane.

Ai gjithashtu thotë se angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj BeH-së është i përhershëm dhe se do të ruajë praninë e vetë ndërkombëtare dhe praninë ushtarake ndërkombëtare.

“Po e nis me komentin, për të cilin ju aludoni, e që e kanë bërë rusët. Rusia nuk pyetet, kur bëhet fjalë për vendimet e marra nga Bosnje e Hercegovina në lidhje me marrëdhëniet brenda marrëveshjes, nëse bëhet fjalë për anëtarësim në Bashkimin Evropian apo për anëtarësim në NATO. Sjellja e këtyre vendimeve i takon Bosnje e Hercegovinës sovrane. Kjo është nën një.

Nën dy, është goxha e qartë se qytetarët e këtij vendi, por edhe politikanët e këtij vendi, e kanë vënë si synim avancimin dhe anëtarësimin në këto institucione euroatlantike. Ne i mbështesim këto synime. Kjo është ajo që njerëzit mbështesin. Kështu që, kur shikoj se çfarë po bën Rusia në këtë vend, mendoj se ata po punojnë kundër qëllimeve që duan të arrijnë qytetarët e këtij vendi. Disa nga deklaratat e tyre, thënë sinqerisht, ishin të papërgjegjshme.

E dini, kur shikoni se çfarë po bën Rusia në Ukrainë dhe Evropë tani, me agresionin brutal dhe barbar kundër Ukrainës, mund të konkludoni se Rusia nuk kujdeset për interesat, jo vetëm të Evropës, por as të Bosnje e Hercegovinës dhe as të Ballkanit Perëndimor. Nuk dëshiron që të shoh stabilitet, siguri, paqe dhe prosperitet në BeH. Problemi është në këtë”, u shpreh ai.

Komento: