Ambasadori amerikan përkujton sulmet e 11 Shtatorit: Reagimi nga Kosova vërteton lidhjen e thellë mes dy shteteve – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
0 °C

Ambasadori amerikan përkujton sulmet e 11 Shtatorit: Reagimi nga Kosova vërteton lidhjen e thellë mes dy shteteve

15:49 | 11 Shtator 2019

Kosnett përkujton sulmet e 11 Shtatorit: Reagimi nga Kosova vërteton lidhjen e thellë që ekziston ndërmjet dy popujve tanë.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, në fjalën e tij gjatë ceremonisë në përkujtim të sulmeve të 11 Shtatorit ka thënë se sot është ditë zymtë për amerikanët.

“Në vendin tonë dhe anembanë botës, sot i përkujtojmë dhe mbajmë zi për pothuajse 3000 të pafajshëm që humbën jetën atë ditë”, ka thënë Kosnett.

Sipas tij, sulmet e 11 shtatorit ndodhën në tokën amerikane, por ato sulme patën ndikim kumbues në tërë bashkësinë ndërkombëtare, duke shtuar se amerikanët nuk ishin viktimat e vetme: në sulme vdiqën qytetarë nga 77 vende të ndryshme dhe duke vlerësuar se ky njëmend ishte sulm mbi civilizimin.

“E përkujtojmë vdekjen tragjike të viktimave; trimërinë dhe sakrificën e reaguesve të parë në Qendrën Botërore Tregtare dhe në Pentagon; si dhe guximin dhe shpirtin e udhëtarëve të Fluturimit 93 – qytetarë të rëndomtë amerikanë, përpjekja e suksesshme e të cilëve për ta rimarrë aeroplanin nga terroristët parandaloi edhe një humbje tjetër të madhe”, ka thënë Kosnett, thuhet në një njoftim të Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Tutje Kosnett ka shtuar se amerikanët gjithmonë do ta përkujtojnë mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e morën nga e tërë bota, e veçanti reagimin në Kosovë, të cilin e ka konsideruar si të menjëhershëm dhe të sinqertë, përcjell Telegrafi.

“Pas sulmeve, anembanë Kosovës, njerëzit u mblodhën për të marshuar në mbështetje të Shteteve të Bashkuara, për të ndezur qirinj dhe për të dhuruar gjak. Disa kosovarë madje dolën vullnetarë për t’ju bashkuar ushtrisë amerikane për të luftuar në luftën globale kundër terrorizmit. Kjo shprehje spontane e përzemërt e mbështetjes vërteton lidhjen e thellë që ekziston ndërmjet popullit të Amerikës dhe atij të Kosovës. Ky partneritet i qëndrueshëm tejkalon çdo parti apo udhëheqës politik”, citohet të ketë thënë tutje ambasadori Kosnett.

Ai gjithashtu ka vënë në pah edhe faktin se Kosova vazhdon edhe sot e kësaj dite të organizojë ngjarje përkujtimore e homazhe.

“Çdo vit në Prishtinë, policia, zjarrfikësit dhe reaguesit e tjerë të parë mblidhen rreth flamurit amerikan të ulur në gjysmështizë. Një organizatë vendore e shoqërisë civile ka filluar një festival të përvitshëm filmi kushtuar viktimave të 11 shtatorit duke ‘kremtuar jetën dhe duke luftuar shkatërrimin me krijimtari’. Më pëlqen kjo ndjenjë”.

“Çdo vit më 11 shtator, përderisa mbajmë zi për të vdekurit dhe e kujtojmë të kaluarën, le të përkushtohemi sërish për të synuar të ardhme më të mirë. Ta ‘luftojmë shkatërrimin me krijimtari’ duke punuar së bashku, këtu në Kosovë, në Amerikë dhe anembanë globit për të ndërtuar një botë të përkushtuar për paqe, prosperitet dhe drejtësi për të gjithë”, ka qenë mesazhi i ambasadorit amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!