Kosnett pohon se Biden do ta vazhdojë punën e bërë nga Trump për dialogun Kosovë-Serbi.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett u është përgjigjur me pohim pyetjeve nëse marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e nënshkruar në Washington vitin e kaluar do të mbetet në fuqi dhe nëse synimi i administratës së Joe Biden është që ta vazhdojë punën e bërë nga administrata e Donald Trump, raporton Gazeta Express.
Kosnett e ka përmendur deklaratën e Sekretarit të ri të Shtetit në SHBA, Antony Blinken, i cili në seancën dëgjimore para Seantit e vlerësoi punën e bërë nga administrata e Donald Trump në dialogun Kosovë-Serbi.
“Javën e kaluar, gjatë seancës dëgjimore për konfirmim para Senatit të SHBA-së, Tony Blinken, i cili është i zgjedhuri i presidentit Biden për postin e Sekretarit të Shtetit, tha se ai duartrokit punën që është bërë nga administrate e Trumpit për Kosovën dhe Serbinë. Kjo është në kontekst të përgjigjes së pyetjes që të gjithë po e bëjnë: a është ende në fuqi marrëveshja e Washingtonit? A synon administrate e Bidenit ta vazhdojë punën e bërë nga administrate paraprake? Dhe përgjigja në thelb për këto dy pyetje është po”, tha Kosnett, duke përmendur edhe disa ndryshime që mund të bëhen në të ardhmen.
Ai theksoi se qëllimet themelore, strategjike të SHBA-së për Kosovën në thelb nuk ndryshojnë, pavarësisht se a janë demokratët apo republikanët në pushtet.
“Ne e konsiderojmë marrëveshjen e Washingtonit në fuqi, deri sa të ketë ndonjë ndryshim të mundshëm që mund të bëhet në të ardhmen dhe pres që do të vazhdojmë të punojmë mbi punën e bërë më herët. Është shumë me rëndësi për shikuesit tuaj që të dine se qëllimet themelore, strategjike të SHBA-së për Kosovën dhe fqinjët e saj në thelb janë të njëjta, qofshin demokratët apo republikanët që kontrollojnë qeverinë. Mendoj se mund të shohim prapa në 20 vitet e fundit dhe të pajtohemi për këtë”, tha Kosnett të martën në RTK.
Ai më tej tregoi se çfarë kërkon SHBA-ja nga Kosova, për të cilat tha se pajtohen edhe demokratët dhe republikanët.
“Çka duam? Duam paqe Brenda Kosovës ndërmjet komuniteteve në Kosovë dhe paqe ndërmjet Kosovës dhe fqinjve të saj. Duam të shohim integrim më të mire ekonomik midis Kosovës dhe fqinjëve të saj. Do të dëshironim të shohim më shumë mundësi ekonomike për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe do të dëshironim të shohim zotim të fortë për sundim të ligjit, luftim të korrupsionit. Këto të gjitha janë gjëra për të cilat pajtohen edhe republikanët dhe demokratët”, tha Kosnett.
Ambasadori amerikan pret që javët e ardhshme në Washington të ketë diskutime të ngjeshura për politikat që do t’i ndjekë SHBA-ja në Ballkan, ndërsa tha se edhe institucioni që ai e drejton do të jetë pjesë e kësaj.
“Tash, në javët dhe muajt e ardhshëm, jam i sigurt se do të ketë diskutime të ngjeshura në Washington rreth specifikave për politikat për Ballkanin. A dëshirojmë ta mbajmë këtë apo atë nismë; a dëshirojmë të fillojmë nisma të reja dhe ambasada është pjesë e këtij diskutimi”, tha Kosnett.
Para rreth një jave, në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Komitetin për Punë të Jashtme para senatorëve kishte dalë i zgjedhuri i Joe Biden për Sekretar të Shtetit, Antony Blinken, i cili ishte përgjigjur në pyetje të cilat ndërlidheshin me politikën e jashtme të SHBA-së. Aty ishte diskutuar edhe për punën e bërë nga administrata e Donald Trump në dialogun Kosovë-Serbi përmes të deleguarit Special, Richard Grenell.
Senatori republikan, Ron Johnson e kishte vendosur në agjendë të debatit punën e negociatave Prishtinë-Beograd dhe atë se çfarë ka bërë Richard Grenell në këtë proces. Ai deklaroi se procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë s’ka qenë duke lëvizur derisa është involvuar në negociata i dërguari i Donald Trump, Richard Grenell. Sipas tij, ideja për avancim ekonomik ka qenë e qëlluar meqë Grenell ishte pajtuar se ka ngecje në çështjet politike mes dy shteteve.
“Situata nuk po lëvizte përpara derisa u inkuadrua Ric Grenell, dhe erdhi me idenë e tij, dhe tha që në rregull ka shumë gjëra për të cilat ka mospajtim, por që mund të pajtohemi është avancimi ekonomik, dhe kjo është një gjë shumë e mirë”, ka thënë Johnson.
Me fjalët e Johnson është pajtuar edhe Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.
“Unë pajtohem”, ka thënë Blinken, duke vazhduar ta vlerësojë atë që është arritur. Ai tha se e duartroket punën që është bërë nga administrata e Trump në procesin e dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe theksoi se si administratë do të provojnë ta shtyjnë Kosovën përpara.
“Ju e përmendët punën në dialogun Kosovë-Serbi. I duartrokas sigurisht. Presidenti i zgjedhur ka kaluar shumë kohë në këto vende në të kaluarën. Dhe mendoj që ai ndanë të njëjtën bindje për gjërat që mund t’i bëjmë për të ndihmuar Kosovën të lëvizë përpara, dhe me shpresë edhe për lëvizjen e Serbisë përpara”, ka thënë Blinken.