Ambasadori amerikan porosit: Luftojeni vet korrupsionin

21:48 | 10 December 2018

Ambasadori amerikan, Philip Kosnett ka thënë se nuk mund të presim që të tjerët ta luftojnë korrupsionin në emër të Kosovës.

Kosnett, në një fjalim në premierën e dokumentarit “Korrupsioni, askush mbi ligjin”, prodhim RTV Dukagjinit në bashkëpunim me ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, ka thënë se çdokush në Kosovë qoftë organizatë apo qytetar ka për detyrë të luftojë korrupsionin në mënyrën e vet.

“Ka shumë mënyra për të luftuar korrupsionin. Inovacioni, kreativiteti janë ndër përbërësit kyç në luftimin e korrupsionit në të gjitha format. Në Kosovë ka persona që tashmë janë kyçur në këtë punë thelbësore”, tha ai.

Kosnett ka thënë se nuk mund të pritet nga të korruptuarit të heqin dorë nga veprimet e tyre, pa u përballur me ligjin.

“Duhet ta pranojmë se nuk duhet të qëndrojmë anash e nuk mund të presim që individët e korruptuar të ndryshojnë sjelljen e tyre. Por, nuk mund të presim që edhe të tjerët ta luftojnë korrupsionin në emrin tonë”, tha ai.

Ambasadori amerikan ka thënë se luftimi i korrupsionit nuk është punë e lehtë, por disa individë të vendosur mund të bëhen shkaktarë që kjo dukuri të luftohet.

“Zbulimi dhe burgosja e të korruptuarve nuk është punë e lehtë. Por, në komunitetet si Chikago, Neë York drejtësia mbizotëroi për shkak të disa individëve që ishin të vendosur për të luftuar këtë dukuri”, tha ai.

Kosnett shpreson që pas transmetimit të dokumentarit “Korrupsioni, askush mbi ligjin”, në Kosovë të ndryshojë situata.

“Shpresoj që ky dokumentar të nxisë diskutime në opinionin publik dhe te sistemi gjyqësor…Shpresojë që ata të frymëzohen dhe të veprojnë njëjtë si kolegët e tyre në SHBA”.

“Çdo javë duhej të bëhej, javë kundër korrupsionit”, përmbylli fjalimin e tij ambasadori i SHBA në Kosovë, Philip Kosnett.

Komento: