Ambasadori britanik për Asociacionin: S’bëhet fjalë për krijimin e një enklave monoetnike

17:15 | 31 Janar 2023

Abbott për Asociacionin: S’bëhet fjalë për krijimin e një enklave monoetnike.

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, pas diskutimit që u mbajt në ambasadën amerikane në Prishtinë mbi çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe tha se nuk bëhet fjalë që të krijohet një enklavë njëetnike.

“Nuk bëhet fjalë për krijimin e një enklavë monoetnike”, tha ai përmes një postimi në Twitter.

Ai i bëri thirrje Kosovës që të themelojë Asociacionin, duke thënë se s’është vetëm angazhim ndërkombëtar, por edhe i bën serbët pjesë integrale të Kosovës.

“Një diskutim i mirëseardhur sot organizuar nga ambasadori amerikan me një pjesëmarrje të shkëlqyer. Përmes dialogut, Kosova është zotuar për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe i takon palëve të bien dakord për formën dhe kohën e krijimit të saj. Ne inkurajojmë Qeverinë që të bëjë progres në të dyja këto. Një organ i tillë nuk është vetëm një angazhim ndërkombëtar, por gjithashtu ofron një mundësi që serbët e Kosovës të jenë pjesë integrale e Kosovës. Kosova është një vend multietnik dhe komunat e tij do të mbeten multietnike”, ka thënë ai.

Sot u mbajt për dy orë një takim për Asociacionin në ambasadën amerikane me përfaqësues të institucioneve, partive, ambasadorë e shoqëri civile.

Komento: