Ambasadori britanik: Serbët mos të kenë frikë nga Ushtria e Kosovës

21:51 | 13 December 2018

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruari O’Connell, ka porositur serbët që mos të kenë frikë nga Ushtria e Kosovës.

O’Connell, ka folur për ushtrinë e Kosovës, taksën e vendosur nga Qeveria e Kosovës dhe për dialogun.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruari O’Connell, duke folur për themelimin e ushtrisë së Kosovës, iu ka bërë thirrje serbëve që të mos kenë frikë nga krijimi i ushtrisë, transmeton lajmi net.

Në një intervistë për “Tv Prva”, O’Connell ka thënë se shteti i tij, nuk e konsideron si të rrezikshme ushtrinë e Kosovës dhe se një gjë e tillë nuk ka arsye të diskutohet.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe mund të formojë forca të armatosura nëse dëshiron. Fakti i thjeshtë se ka forca të armatosura nuk është as një gjë negative dhe as destabilizuese. Ky është një proces dhjetëvjeçar në fund të së cilit nga tre mijë e pesëqind forca do të rritet ky numër në pesë mijë pjesëtarë të ushtrisë. Nuk është një ndryshim i madh, nuk mendoj se ka ndonjë qëllim që dikush ta pushtojë Mitrovicën apo ta pushtojë veriun e Kosovës. Nuk mendoj që ushtria e Kosovës ka për synim që të përdor forcat e asaj kundër serbëve të Kosovës”, deklaroi O’Connell, i cili shtoi se nuk e beson se do të ndodhë një gjë e tillë pasi që siç tha ai, nëse ndodhë një gjë e tillë, Kosova do të mund të humbiste miqtë e saj ndërkombëtar dhe kjo do të ishte në dëm të Kosovës, prandaj siç u shpreh ai, nuk do të ndodhë një gjë e tillë.

O’Connell në këtë intervistë ka folur edhe për taksën prej 100 për qind për mallrat ndaj Serbisë dhe Bosnjës.

Sipas tij vendosja e kësaj takse nuk është në përputhje me marrëveshjen e CEFTA-s.

Sipas tij, është e qartë se vendosja e kësaj takse është më shumë politike për shkak të propagandës së Serbisë ndaj Kosovës.

Komento: