Ambasadori francez: Rregullorja e BQK-së të pezullohet

18:33 | 06 Shkurt 2024

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot ka kërkuar shtyrje të vendimit për zbatim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për dinarin.

Guerot theksoi se gjatë kësaj periudhe tranzicioni duhet të ketë më shumë informim e konsultime para se të implementohet.

“Kërkesa jonë që e kemi bërë, ne dhe vendet e QUINT-it është që të bëhet një tranzicion para se të implementohet kjo rregullore, duhet të ketë më shumë konsultime dhe informata para se të implementohet. Ne bëjmë thirrje për pezullimin e kësaj rregullore për hir të informimit të duhur të popullatës, dhe mundësinë e gjetjes së zgjidhjeve së mundshme teknike”, ka deklaruar Guerot.

Sipas ambasadorit francez, është e rëndësishme që të dy palët të ulen dhe të diskutojnë çështjet teknike para implementimit të kësaj rregulloreje dhe se kanali i vetëm sipas tij për zgjidhjen e kësaj situate është dialogu.

“Mendoj që është gjë e rëndësishme për të gjithë përkundër teknaliteteve, po flasim për pensionet, pagat dhe në mënyrën e duhur të funksionimit të shkollave dhe spitaleve që janë përdorur nga komuniteti serb në këtë vend. Rregullorja e BQK-së ka për qëllim të ketë më shumë transparencë dhe ne këtë e përkrahim, sidoqoftë e ka potencialin e një ndikimi direkt se si do të veprojë ky komunitet, si do të marrin pensionet ata njerëz, do të donim të ketë më shumë konsultime para se të implementohet e njëjta dhe një informim më i gjerë për njerëzit, është fjala për çështje konkrete që ndikojnë te një pjesë e madhe e njerëzve”, ka vijuar ai.

Ambasadori francez thotë se qeveria e Kosovës sikurse qeveritë demokratike duhet të gjejnë mënyra të duhura që kur të propozojnë diçka të mos ndalojnë diçka tjetër, në këtë rast transferet.

“Qeveria e Kosovës sikurse qeveritë demokratike kanë fuqinë për të bërë klauzola, kur gjërat janë të ndaluara, në një qeveri demokratike duhet të kërkojnë dhe të gjejnë mënyra se si gjërat të cilat propozojnë nuk ndalojnë gjërat tjera, si transferet. Duhet të ketë diskutime me njerëzit që kanë ndikim të drejtpërdrejtë, është fjala për paratë e serbëve, kanali i duhur është që të dialogohet”, ka theksuar ai në emisonin “FIVE”.

Komento: