Ambasadori gjerman: Nuk ka garanci se në fund të dialogut Kosovën e njeh pesëshja mosnjohëse e BE-së

18:49 | 26 Janar 2023

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka deklaruar se Bashkimi Evropian nuk mundet të garantojë se në fund të dialogut, pesë shtetet skeptike do ta njohin Kosovën.

Rohde theksoi se anipse nuk mund të ofrohet garancë ligjore për vendimet e vendeve tjera të Bashkimit Evropian, po bëhen përpjekje në drejtim të këtyre njohjeve.

“Nuk mund të garantojmë për vendimet e vendeve tjera të BE-së. As BE-ja nuk mund të garantojë për pozicionin e Gjermanisë për ndonjë çështje. Megjithatë ne po bëjmë përpjekje që të lëvizim të në drejtim të njohjeve nga këto vende. Megjithatë nuk mund të ketë garanci ligjore se do të sjellim këto njohje. Edhe Lajçaku ka folur me shtetet mosnjohëse të Kosovës dhe kjo është një përpjekje e përbashkët ta çojmë këtë temë përpara”, deklaroi Rohde në RTV Dukagjini.

Ambasadori gjerman tha se propozimi evropian synon daljen nga kriza, ndaj sugjeron se s’duhet humbur kohë.

“Ne me këtë propozim po dëshirojmë që të dalim nga kjo krizë dhe nuk dëshirojmë të humbim shumë kohë. Duhet t’i tejkalojmë çështje si targat, apo largimin e serbëve nga institucionet, duhet të shohim një fotografi më të madhe të zgjidhjes së problemit”.

Ai tha se shpreson që Kosova do ta kapë momentumin dhe të ecet drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk duhet të shpenzojmë energji për çështje të tjera siç janë fushata për tërheqjen e njohjeve apo çështje tjera si targat apo stikerat. Këta probleme duhet të tejkalohen dhe të ecim tutje”, tha ai.

Komento: