Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri duhet të shtyhen, pas incidenteve të fundit atje.
Rohde ka shpërndarë postimin e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ku ai thotë se s’janë kushtet të mbahen zgjedhjet tani.
Rohde ka thënë se pajtohet me këtë që ka thënë Hovenier dhe se është e dukshme se me situatën aktuale, nuk është e përshtatshme mbajtja e zgjedhjeve tani.
“Pajtohem me kolegun tim nga Shtetet e Bashkuara se zgjedhjet duhet të shtyhen. Është e dukshme se me situatën aktuale, nuk është e përshtatshme që ato të mbahen tani”, ka shkruar Rohde.
I agree with my US colleague that the elections should be postponed. It is obvious that the current situation is not conducive to holding them now. https://t.co/hmnsTjOeVt
Ndryshe, Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se zgjedhjet për pushtetin komunal në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe duhet të shtyhen dhe se për këtë çështje do të diskutojë më udhëheqësit e Kosovës gjatë vizitës së tij në Prishtinë javën që vjen.
Chollet tha për Zërin e Amerikës se Shtetet e Bashkuara mendojnë se “nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh ndjeshmërinë e momentit dhe kemi parë dhunë në 24 orët e fundit. Është kohë e tensionuar dhe duam të sigurohemi se ka kushte për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të drejta. Kosova është demokraci shumetnike, sikurse Shtetet e Bashkuara. Ne jemi krenar me punën që Shtetet e Bashkuara kanë bërë në këto 20 e ca vjet për ngritjen e demokracisë në Kosovë dhe duam të punojmë për ta mbështetur dhe ruajtur atë. Së këndejmi mendojmë se këto zgjedhje duhet të shtyhen derisa koha të jetë e duhur dhe kur mund të mbahen pa nxitur më shumë joqëndrueshmëri dhe dhunë”.