Ambasadori gjerman për targat: Kemi kërkuar 12 muaj kohë

17:57 | 01 November 2022

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar sa i përket çështjes së targave dhe vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës në lidhje me targat ilegale nga Serbia.

Përmes një postimi në Twitter, Rohde ka deklaruar se Bashkimi Evropian dhe QUINT-i kanë thënë gjithmonë se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat ilegale.

Ai ka konfirmuar se ky proces është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit.

Ambasadori gjerman ka thënë se kanë kërkuar nja periudhë më të gjatë tranzicioni.

“Ne gjithashtu kemi qenë gjithmonë të zëshëm për një periudhë më të gjatë tranzicioni (12 muaj në total) siç parashikohet në marrëveshjen në fjalë, gjithashtu për të zgjidhur çështjet e mbetura teknike në mënyrë pragmatike. Ne ende mendojmë se këshillat tona duhet të ndiqen”, ka shkruar Rohde.

Tutje, ai ka deklaruar se do të dëshironte të shihte përfaqësuesit e serbëve të Kosovës duke kontribuuar në deeskalimin e situatës.

“Por, gjithashtu, do të doja t’i shihja përfaqësuesit e serbëve të Kosovës duke kontribuuar në mënyrë konstruktive për deeskalim. Për shembull, duke ua shpjeguar serbëve të Kosovës realitetin se në Kosovë duhet të përdorësh targa të Kosovës”, ka thënë ai.

Kujtojmë se më vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës, duke nisur nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të ketë masa të qortimit, ndërsa nga 21 nëntori deri më 21 janar do të ketë masa të gjobitjes.

Nga 21 janari, me vendim të Qeverisë parashihet të ketë targa provuese për dy muaj të tjerë, ndërsa pas datës 21 prill, nuk mund të ketë më targa ilegale në qarkullim.

Komento: