
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka theksuar se veriu i Kosovës mbetet një zonë me rrezik më të madh për trazira civile, duke shtuar se këshilla e SHBA-ve për qytetarët amerikanë është të tregohen të kujdesshëm kur vizitojnë atë rajon, shkruan FrontOnline.
Në një intervistë për emisionin Contex të ATV-së, Hovenier u shpreh se Shtetet e Bashkuara janë të vetëdijshme për situatën e tensionuar në veri dhe se qeveria e Kosovës ka përgjegjësinë për të menaxhuar këtë situatë.
Ai gjithashtu theksoi se është e rëndësishme që hetimet të kryhen plotësisht dhe rezultatet e tyre të jenë të besueshme përpara se të ngarkohen individë me përgjegjësi.
“Ne jemi të vetëdijshëm që qeveria e Kosovës ka, por këshilla jonë vazhdon të jetë, prisni derisa të kryhen hetimet dhe të keni rezultate të besueshme të tyre përpara se të ngarkoni dikë me përgjegjësi, sepse atëherë do të keni mbështetje nga të gjithë për t’u siguruar që përgjegjësit të mbahen përgjegjës,” tha Hovenier, njofton FrontOnline.
Ambasadori i SHBA-ve gjithashtu komentoi mbi situatën e sigurisë në veri të Kosovës, duke u shprehur se nuk ka shqetësime të veçanta për ushtarët amerikanë që shërbejnë në kuadër të KFOR-it, por se zona përbën një rrezik të shtuar për trazira civile.
“Ushtarët amerikanë veprojnë anembanë Kosovës që nga viti 1999. KFOR-i ka protokolle shumë të mira sigurie. Natyrisht që ata veprojnë në kushte të sigurisë dhe sigurisht, KFOR-i ndihmon në krijimin e sigurisë së tij. Pra, nuk kemi ndonjë shqetësim të veçantë për kushtet në të cilat operojnë ushtarët e KFOR-it,” tha Hovenier.
Ai shtoi se qeveria amerikane ka bërë të ditur për qytetarët e saj të jenë të kujdesshëm kur udhëtojnë në veriun e Kosovës, duke përfshirë qytetet si Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zveçan dhe Zubin Potok.
“Në këshillat tona për qytetarët amerikanë, më gjerësisht, u themi qytetarëve amerikanë që të rishikojnë udhëtimin në këto zona për shkak të mundësisë së trazirave civile,” theksoi Hovenier.
Ambasadori amerikan theksoi se edhe punonjësit e ambasadës amerikane kanë nevojë për leje për të udhëtuar në veri, por se ata janë të pranishëm në këtë zonë për të kuptuar më mirë situatën dhe për të bashkëpunuar me komunitetet atje.
”Nëse personeli i ambasadës dëshiron të shkojë në veri, ata duhet të kenë lejen time. Ne shkojmë atje. Jemi atje. Punojmë me njerëz. Është e rëndësishme për ne të kuptojmë zonën” u shpreh Hovenier/FrontOnline/