Ambasadori i amerikan i kërkon Kurtit ta shtyjë afatin për targat, e dënon djegien e veturës në Veri

12:00 | 02 November 2022

SHBA-ja ka ripërsëritur kërkesën për të zgjatur afatin për regjistrimin e veturave në RKS.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka reaguar pas djegies edhe të një veture në veri që konvertoi targat në RKS.

Ambasadori amerikan i ka quajtur veprime frikacake dhe kriminale, ndërsa ka përsëritur qëndrimin dhe kërkesën e SHBA-së për shtyrjen e afatit për targat.

“Ne ritheksojmë kërkesën tonë për një zgjatje të plotë të periudhës së zbatimit në mënyrë që tabelat RKS të mund të vendosen gjatë 12 muajve duke pohuar se Kosova ka të drejtë ta zbatojë këtë ndryshim.

SHBA-të dënojnë djegien ose shkatërrimin e pronës dhe çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë ose synojnë të marrin targa të veturës RKS sipas ligjeve të Kosovës. Këto janë veprime frikacake dhe kriminale”, ka shkruar Hovenier.

Policia e Kosovës ka njoftuar se në orët e para të mëngjesit të së mërkurës një veturë me targa RKS në Zubin Potok.

Veprime të tilla ishin bërë edhe në dy raste më herët.

Kujtojmë se dje ka hyrë në fuqi vendimi i ri i Qeverisë për targat.

Në fazën e parë – nga 1 e deri më 21 nëntor, policia e Kosovës do t’u japë vërejtje vozitësve të veturave me targa të Serbisë dhe do të kërkojë që t’i regjistrojnë veturat me targa RKS.

Në fazën e dytë, nga 21 nëntori deri më 21 janar, serbët me targa të Serbisë do të gjobiten me 150 euro.

Faza e tretë parasheh lëshimin e targave provuese dhe do të zgjasë deri më 21 prill, kur sipas vendimit targat serbe do të ndalohen në Republikën e Kosovës.

Komento: