Ambasadori i Kosovës në Bruksel për tensionet në veri: Serbia dëshiron ta pengojë marrëveshjen

16:54 | 27 December 2022

Ambasadori Bajrami për tensionet në veri: Serbia dëshiron ta pengojë marrëveshjen.

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka thënë se Serbia me qëllim po e nxit dhunën dhe po i rrit tensionet në veri të Kosovës. Bajrami ka shkruar sot në “twitter” se Beogradi po i përdor bandat kriminale dhe grupet paraushtarake të lidhura me Rusinë që ndërtojnë barrikada në veri për të targetuar serbët që s’i binden Beogradit dhe për të sulmuar institucionet e Kosovës, Policinë, EULEX-in dhe KFOR-in, shkruan Gazeta Express.

Sipas ambasadorit Bajrami e gjithë kjo po bëhet me qëllim që të pengohet përfundimi i dialogut të Brukselit përmes propozimit të BE-së që ka përkrahjen e Gjermanisë, Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ata duan ta mbajnë publikun e hutuar”, ka shkruar Bajrami.

Sipas tij, serbët gjithashtu dëshirojnë që të mbajnë larg presionin perëndimor për të braktisur aleancën me Rusinë dhe Vladimir Putinin.

Për të realizuar këto qëllime, Bajrami thotë se Beogradit udhëzon mediat e kontrolluara që të shpërthejnë ne propagandë dhe gënjeshtra për Kosovën, shqiptarët, Gjermaninë, BE-në e Britaninë e Madhe.

“Për këtë qëllim ata hidhnin benzinë në zjarr kur flisnin për “terrorin shqiptar/Kurti, “fushatën anti-serbe të mbështetur nga perëdnimi dhe “luftën dhe gjakderdhjen që po vjen”, shton ambasadori kosovar.

Ambasadori Agron Bajrami thotë se kërcënimi i Serbisë kundër Kosovës është kërcënim ndaj NATO-së dhe BE-së.

Ai tutje thotë se pozicionimi strategjik i Serbisë është në mbështetje të Rusisë dhe Putinit.

Bajrami potencon se një Kosovë demokratike dhe sovrane është pengesë për dominimin dhe influencën serbo/ruse në Ballkanin Perëndimor.

Komento: