Ambasadori i Qipros: Kosovën s’e njohim, por është koha t’ia japim një shans paqes

15:44 | 14 February 2023

Ambasadori i Qipros në Serbi, Dimitrios Teophylaktu, në një intervistë në emisionin e mëngjesit në televizionin “Nova TV” ka folur edhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe pozicionin e shtetit të tij për pavarësinë e Kosovës.

Ai ka thënë se Qipro nuk e ndryshon qëndrimin për pavarësinë e Kosovës megjithatë ka shtuar se dëshirojnë t’i japin paqes një shans.

Teophylaktu ka folur edhe për propozimin franko-gjerman duke thënë se Bashkimi Evropian dëshiron që t’i japë një shansë dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Diplomati qipriot tutje ka thënë se është e qartë që Serbia nuk do ta njohë Kosovën, njëjtë sikurse Qipro, por sipas tij është koha që t’i jepet paqes një shans.

Kosova vazhdon të mos njihet nga pesë shtete të Bashkimit Evropian gjë që e bën tepër të vështirë rrugëtimin drejt integrimit në instancat e BE-së. Arritja e një marrëveshjeje me Serbinë pritet që të zhbllokojë një situatë të tillë dhe disa prej këtyre shteteve të lëvizin drejt njohjes.

Greqia është një prej shteteve e cila ka lëvizur më së shumti në drejtim të njohjes së Kosovës, megjithatë ende s’ka pasur një vendim nga Athina zyrtare. Pritet të shihet se çfarë lëvizje do të shkaktojë një marrëveshje potenciale bazuar në propozimin franko-gjerman.

Emisari sllovak, Miroslav Lajcak ka zhvilluar takime me përfaqësues diplomatik të pesë shteteve përfshirë edhe Sllovakinë, derisa ka pasur paralajmërime se tri shtete nga pesëshja mos-njohëse mund të ndryshojnë qëndrim nëse arrihet marrëveshje Kosovë-Serbi.

Komento: