Pasardhësi i Ruairi O’Connell i dorëzon kredencialet te Thaçi, e përmend menjëherë korrupsionin.
Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ka njoftuar se Ambasadori i Lartëmadhërisë së Saj në Kosovë, Shkëlqesia e Tij Nicholas Abbott, ka prezantuar sot në mëngjes kredencialet te Presidenti i Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Tij Hashim Thaçi.
Pas kësaj ceremonie, ambasadori i ri ka thënë se do të vazhdojë punën e ish-ambasadorit Ruairi O’Connell për të ndihmuar ata që e luftojnë korrupsionin dhe nepotizmin.
“Jam i lumtur që kam prezentuar Letrën time Kredenciale te Presidenti Thaçi. Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova gëzojnë lidhje të thella miqësie dhe bashkëpunimi, të farkëtuara në kohërat më të vështira. Mezi pres të zhvilloj dhe forcojë marrëdhëniet tona me popullin e Kosovës, dhe të vazhdoj punën e paraardhësve të mi për të ndihmuar në reformimin dhe modernizimin e institucioneve, dhe demokracisë së Kosovës, dhe për të inkurajuar dhe mbështetur ata që janë brenda sistemit dhe të cilët po luftojnë korrupsionin dhe nepotizmin.”, ka thënë ambasadori i ri i Britanisë së Madhe në Kosovë.
Britania e Madhe ishte vendi i parë që kishte lidhur marrëdhënie diplomatike pasi Kosova shpalli pavarsinë në shkurt 2008. Shkëlqesia e Tij Nicholas Abbott është ambasadori i pestë i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.