Ambasadori norvegjez në NATO: Stagnimi i vazhdueshëm politik është i rrezikshëm për Kosovën dhe Serbinë

11:19 | 09 Janar 2019

Ambasadori norvegjez në NATO, Kai Eide ka thënë se situata është në rrezik dhe sipas tij, Kosova dhe Serbia të gjejnë zgjidhje.

Çështja e rëndësishme mes Kosovë dhe Serbisë ka alarmuar gati se të gjithë botën, liderët e vendeve më të mëdha kanë kërkuar nga dy palët që të gjendet një marrëveshje përfundimtare që sjell paqen dhe stabilitetin mes dy vendeve. Kështu sot ka reaguar edhe Ambasadori norvegjez në NATO, Kai Eide, duke deklaruar se duhet të gjendet një zgjidhje sa më shpejt dhe bisedimet duhet filluar, transmeton Gazeta Metro.

Eide ka apeluar tek pala kosovare dhe ajo serbe që të normalizojnë raportet dhe sipas tij dialogu duhet të mos ngelet në këtë gjendje të bllokuar, sipas tij ky stagnim i vazhdueshëm politik nga të dy vendet është shumë i rrezikshëm.

Ish i dërguar i OKB’së në Kosovës gjatë vitit 2005, Eide, ka kërkuar që hapat e mëtejshëm që dëmtojnë marrëdhënien mes Kosovës dhe Serbisë duhet të shmangen, dhe të gjindet zgjidhja për arritjen e një marrëveshje që krijon stabilitet rajonal dhe përfshirje në organizatat ndërkombëtare.

“Duhet të gjendet një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë për të stabilizuar marrëdhëniet dypalëshe, të krijojnë stabilitet rajonal dhe përfshirje në organizatat ndërkombëtare! Hapa të mëtejshëm që dëmtojnë marrëdhëniet duhet të shmangen. Dhe bisedimet duhet të fillojnë! Stagnimi i vazhdueshëm politik është shumë i rrezikshëm!”, ka shkruar Eide sot.

Ndërkaq, dje Shefja për Politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian(BE), Federica Mogherini, priti për herë të parë në takim ekipin negociator të Kosovës, ku me dy bashkëdrejtuesit e delegacionit, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, foli në lidhje për përfundimin e një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë si dhe heqja e taksës nga ana e Qeverisë së Kosovës në lidhje me produktet serbe, transmeton Gazeta Metro.

Kurse, Bashkimi Evropian i ka vendosur shtetit të Kosovës tri kërkesa të veçanta për vazhdimin e dialogut me Serbinë, njëra nga kërkesat dhe e cila është kryesore për të vazhduar dialogun është heqja e taksës 100%. E për këtë në Prishtinë nga BE’ja do të vij Drejtoresha e Shërbimit të Jashtëm të BE-së, Angelina Eichhorst.

Komento: