Presidenti i Fondacionit të NATO-s, ish nën-sekretar i përgjithshëm i Aleancës, Ambasadori Alessandro Minuto-Rizzo, tha se në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë është e nevojshme një frymë kompromisi përmes njohjes së realitetit politik në Kosovë.
Në një intervistë për European Western Balkans ai tha se njëkohësisht duhet të njihet edhe e drejta për ruajtjen e identitetit kulturor të komunitetit serb të Kosovës. Rizzo tha se Kosova është shtet i pavarur që duhet të mbetet si e tillë. Ai foli edhe për emocionet që vijnë, siç tha, nga historia e kaluar që shpjegojnë gjendjet e përsëritura të tensionit. Ne respektojmë ndjenjat e të gjithëve.
Ambasadori Rizzo tha se NATO është në Kosovë për një kohë të gjatë për të ruajtur paqen dhe për të garantuar një vëmendje të vazhdueshme. Sipas tij Italia ka treguar një interesim të veçantë për Kosovën dhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.