Pas Çekisë, Suedia e ka marrë nën udhëheqje presidencën e Bashkimit Evropian. Me këtë rast, suedezët do të procedojnë edhe me çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Ambasadori suedez në Kosovë, Jonas Westerlund, ka shprehur optimizmin se në janar të vitit 2024, kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza nëpër shtetet e BE’së.
Ai tha se e kupton frustrimin e qytetarëve të Kosovës, por shton se është optimist se liberalizimi i vizave do të ndodh shpejt.
“Tani pika e diskutimit është në Parlamentin Evropian dhe jam plotësisht i bindur që populli i Kosovës është zhgënjyer shumë herë më parë. Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin që në vitin 2018, kështu që e kuptoj atë frustrimin, zhgënjimin e qytetarëve të Kosovës. Thjesht shpresojmë për më të mirën. Parlamenti Evropian po e debaton këtë gjë, nga këndvështrimi im duket si gjë e mirë. Me të vërtetë jam optimist”, tha ai për RTK.
Wesretlund tha se ka nisur konsultimet me shtetet e tjera anëtare të BE-së, se si të procedohet tutje për aplikimin e anëtarësimit të Kosovës në BE.
“Këshilli i Bashkimit Evropian ka vendosur vitin e kaluar që do t’i kalohet pika e diskutimit Parlamentit Evropian dhe po shpresojmë që të kemi liberalizim të vizave për Kosovën jo më larg se në janar të vitit 2024”, tha ai.
Wesretlund shtoi se në Suedi janë rreth 70 mijë shqiptarë, që shumë prej tyre edhe të suksesshëm në fushat e biznesit.
Ambasadori suedez premtoi se, gjatë mandatit të tij, do të punojë që t’i shtyejë kompanitë suedeze të vijnë në Kosovë dhe të bashkëpunojnë me kosovarët në sektorin e përpunimit të drurit.