Ambasadorja e artit nuk ndalet

16:40 | 25 February 2019

Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar është hapur ekspozita “Rrugëtimi” e skulptores nga Kosova Arjeta Miftari, e kuruar nga Skënder Boshtrakaj. Ekspozita në Muzeun Historik Kombëtar vjen si vazhdimësi e rrugëtimit të hyjneshave të Miftarit nisur disa muaj më parë në Prishtinë për të vazhduar pastaj në Berlin dhe më pas Paris.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite të veçantë morën pjesë Zëvendës Ministre e Kulturës, Valbona Shujaku, ish-Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, Mal Berisha, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, skulptorja, Arjeta Miftari, së bashku me kuratorin Skënder Boshtrakaj, dashamirës të artit, kulturës si edhe shumë të ftuar të tjerë.

Me këtë rast drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, para të pranushmeve ka thënë se është kënaqësi e veçantë që programi i kulturës Shqipëri-Kosovë për vitin 2019 hapet me një ekspozite të një artisteje nga Kosova.

“Kjo artiste na ka befasuar me artin e saj të veçantë por vlen për tu theksuar simboli i Hyjneshës, simbol i Kosovës e gjetur në Kosovë. Jemi të prirur të vazhdojmë bashkëpunimin e një kalendari të përbashkët kulturor”, ka thënë Koçi.

Ndërsa, Kuratori i ekspozitës, Skënder Boshtrakaj, u shpreh se ekspozita prezantohet me tre motive të gërshetuara në një rrugëtim.

“Motivi i parë vjen nga neoliti nga lashtësia, simboli Hyjneshës, motivi dytë është rrugëtimi i femrës në Kosovë, Shqipëri apo kudo në botë dhe motivi i tretë, motivi personal i artistes”, ka thënë Boshtrakaj.

Ekspozita “Rrugëtim” përmban skulptura të Hyjneshave në fron, simboli më i rëndësishëm i artefakteve me të cilat prezantohet trashëgimia kulturore e Kosovës, pjesë e kësaj ekspozite janë 10 skulptura të hyjneshave të punuar në materiale të rezinës dhe drurit, 40 fotografi që pasqyrojnë proçesin e punës së artistes, një dokumentar dhe 10 fotografi të hyjneshave të punuar në pëlhurë.

Ekspozita “Rrugëtim” në Muzeun Historik Kombëtar do të qëndrojë e hapur për dy javë në ambientet e sallës së pullave, kati i dytë i Muzeut Historik Kombëtar.

Komento: