Amer Kapetanoviç merr detyrën si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal

12:38 | 03 January 2025
amer-kapetanovic-merr-detyren-si-sekretar-i-pergjithshem-i-keshillit-per-bashkepunim-rajonal

Amer Kapetanoviç mori sot detyrën e Sekretarit të ri të Përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), pas emërimit nga Ministrat e Jashtëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) më 12 qershor 2024 në Shkup.

Amer Kapetanoviç është një diplomat i shquar me mbi dy dekada përvojë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe bashkëpunimin rajonal.

Biografia e plotë e z. Amer Kapetanoviç

Deklarata e z. Kapetanoviç:

“Teksa hyjmë në 2025-ën, më lejoni para së gjithash t’ju uroj në këtë Vit të Ri shëndet, paqe dhe mbarësi. Është nder për mua të marr rolin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal për tre vitet e ardhshëm. E filloj këtë rrugëtim duke pasur në mendje moton e arkitektëve të tregut të vetëm të BE-së dhe kampionëve të bashkëpunimit rajonal: ‘Diversiteti duhet ruajtur, në mënyrë që të japë fryte për të mirën e përbashkët’. Kjo përmbledh thelbin e përpjekjes sonë për të krijuar përfitime të qëndrueshme për të gjithë, ndërkohë që çmojmë diversitetin e pasur të rajonit tonë.

Mezi pres të ndërtoj mbi punën e jashtëzakonshme që është bërë tashmë në Evropën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor. Në këtë kuadër, dua të falënderoj Majlinda Bregun, Goran Svilanoviçin dhe Hido Biščeviçin, paraardhësit e mi, për gjithë energjinë, njohuritë dhe përvojën e tyre të investuar për udhëheqjen e RCC-së drejt suksesit.

Por asnjë lider nuk mund të ecë drejt ndryshimit i vetëm! Falënderimi im i sinqertë shkon gjithashtu për stafin e RCC-së, ata që kanë punuar ose ende punojnë në projektet tona. Pa ta, nuk do të ishte e mundur as të mendohej për paradigmën tonë rajonale, e jo më për gjithçka që kemi arritur deri tani.

Hapja e një kapitulli të ri në jetë është gjithmonë emocionuese, por rrallëherë e lehtë. Edhe kur e njeh historinë dhe personazhet mirë, rruga përpara gjithmonë sjell probleme dhe tundime të reja. Por jam po aq i bindur se, me mbështetjen e pjesëmarrësve dhe donatorëve tanë, ne mund të jemi, gjatë tre viteve të ardhshëm, ndryshimi i vërtetë që qytetarët në rajonin tonë duan të shohin. Sipas të gjitha sondazheve deri më tani, qytetarët tanë kanë një ëndërr të thjeshtë dhe të arritshme – ata duan përmirësim ekonomik, jetë të sigurt dhe të begatë si bashkëqytetarët e tyre në BE. Dhe në fakt ata këmbëngulin të jenë pjesë e BE-së sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ky kapitull i ri ofron mundësi unike për RCC-në që të jetë pjesë e një përpjekjeje të organizuar rajonale për realizimin e ëndrrës së qytetarëve tanë. Falë mbështetjes financiare nga BE-ja dhe pjesëmarrësit tanë, ne do të fillojmë amplifikimin e rezultateve të orientuara drejt njerëzve – qoftë përmes avancimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, përmirësimit të Strategjisë së Evropës Juglindore 2030 (SEE2030), shtyrjes përpara të Agjendave të Gjelbra dhe Digjitale, mundësimit të rinjve për pjesëmarrje në vendimmarrje, përmirësimit të mundësive të punësimit apo forcimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë.

Në një epokë të polikrizave globale, rajoni ynë ka zgjedhur të qëndrojë në rrugën e standardeve të BE-së, multilateralizmit dhe bashkëpunimit të bazuar në besimin, interesin dhe respektin e ndërsjellë. Të gjitha qeveritë në kuadrin tonë janë angazhuar të mbështesin veprimet e RCC-së të orientuara drejt këtij drejtimi strategjik.
Prandaj, jam i gatshëm të nis këtë udhëtim qëllimplotë dhe thellësisht mirënjohës për të gjithë ata që do të jenë pjesë e tij. Në frymën e mbiemrit tim, ju uroj të gjithëve lundrim të qetë dhe dete të paqtë.”

Video deklaratë nga z. Kapetanoviç

Z. Amer Kapetanoviç pasoi në këtë post znj. Majlinda Bregu, e cila qëndroi në detyrë nga viti 2019 deri në 2024.

Komento: