Amerika dhe Rusia pajtohen që të bashkëpunojnë për një çështje me rëndësi

11:20 | 15 Korrik 2021

ShBA-ja dhe Rusia pajtohen që të bashkëpunojnë për një çështje me rëndësi.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Klimën, John Kerry, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, u pajtuan gjatë një bisede telefonike të mërkurën se vendet e tyre duhet të punojnë së bashku për çështjet e klimës, tha përmes një deklarate Departamenti i Shtetit.

Në deklaratë thuhet se Kerry e Putin e theksuan rëndësinë që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të punojnë së bashku për një varg çështjesh rreth klimës, duke shtuar se ata gjithashtu e pohuan rëndësinë e punës për një konferencë të suksesshme të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike, e cila është caktuar për muajin nëntor në Skoci.

Kremlini tha përmes një deklarate se Putini i tha Kerry që problemi i klimës është një nga fushat ku Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë interesa të përbashkëta dhe qasje të ngjashme, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

Kerry, i cili do ta vizitojë Moskën këtë javë, theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë role të rëndësishme për të luajtur, përfshirë synimin për zero gazra karboni në aspekt afatgjatë, eliminimin e ndotjes nga përdorimi i thëngjillit dhe punën për t’i adresuar çështjet klimatike që lidhen me Arktikun, tha Departamenti i Shtetit.

Në anën tjetër, Putini tha se i jep rëndësi të madhe arritjes së qëllimeve të Marrëveshjes së Parisit për Klimën dhe e mbron depolitizimin e dialogut për ndryshimet klimatike.

Ndryshimet klimatike janë një ndër fushat e pakta për të cilat Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë thënë se janë të gatshëm që të angazhohen me Rusinë. Tensionet mes ShBA-së e BE-së, në njërën anë, dhe Rusisë, në anën tjetër, janë shtuar për shkak të veprimeve të Rusisë në Ukrainë, sulmeve kibernetike dhe helmimit të opozitarit rus, Aleksei Navalny.

Komento: