Amerika e përshëndet aksion e policisë në Veri: U bë për të luftuar korrupsionin

12:34 | 31 May 2019

Aksioni i Policisë së Kosovës është përshëndetur nga Amerika.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përshëndetur aksionin e fundit të Policisë së Kosovë, si rezultat i të cilit mbeten të arrestuar dhjetëra zyrtarë të etnive të ndryshme, të cilët dyshohen për kontrabandë dhe vepra të tjera të ngjashme.

Këto deklarata i ka bërë zyrtari i Misionit të SHBA-së në OSBE, Lande D.Bahl, duke thënë se një aksion i tillë i cili nuk kishte cak vetëm veriun e Kosovës, është një përpjekje e Kosovë për të luftuar korrupsionin dhe për të forcuar sundimin e ligjit.

“Shtetet e Bashkuara i përshëndesin përpjekjet për zbatimin e ligjit nga Qeveria e Kosovës, për të luftuar korrupsionin dhe për të forcuar sundimin e ligjit. Veprimi i Policisë së Kosovës më 28 maj ishte një përpjekje për të bërë pikërisht një gjë të tillë. Autoritetet arrestuan individë të ndryshëm për përfshirje në kontrabandë dhe për krim të organizuar”, thuhet në reagim, raporton Gazeta Express.

Në këtë reagim potencohet fakti, se një aksion i Policisë së Kosovës, nuk ishte i organizuar vetëm për pjesën veriore, por në të gjithë Kosovën.

Ndërkohë sa i përket ndalimit të zyrtarit rus, Mikhail Krasnoshchenkov, në reagim thuhet që janë në dijeni për ndalimin e tij, duke potencuar se autoritetet kosovare janë në hetim e sipër të rastit.

“Policia ka arrestuar të dyshuarit që u përkasin grupeve të ndryshme etnike. Operacioni u realizuar në disa vende në Kosovë, jo vetëm në veri. Ne gjithashtu jemi në dijeni se policia arrestoi dhe liroi një zyrtar rus të UNMIK-ut. Policia e Kosovës po heton incidentin”, potencohen ndër të tjera në këtë reagim.

Në fund thuhet se Prishtina dhe Beogradi, duhet të shmangin çfarëdo veprimi që do të mund të dërgonte në një eskalim të mëtejmë të situatës.

“Ne inkurajojmë të gjitha palët që të shmangin çdo veprim që mund të përshkallëzojë tensionet. Të gjitha palët duhet të demonstrojnë profesionalizëm dhe përmbajtje” përfundon Bahl.

Reagime të ndryshme për aksionin e Policisë së Kosovës në veri kanë ardhur nga Beogradi, duke thënë se një aksion i tillë po bëhët për të frikësuar serbët që jetojnë në atë pjesë, dhe për të treguar se sa janë të fortë kosovarët.

Ndërkohë për ndalimin e zyrtarit rus që ka punuar në misionin e UNMIK-ut, ka pasur edhe reagime nga zyra e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, të cilët fillimisht kishin kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm, dhe kishin thënë se në rast të lëndimeve të zyrtarëve të këtij misioni do të ketë kundërpërgjigje ndaj autoriteteve kosovare.

Sot Kryeministri i Republikë së Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, për të shpallë si person non grata, rusin e ndaluar dhe liruar gjatë aksionit policor.

Komento: