LDK-së dhe Vetëvendosjes po i kërkohet që të bëhen pjesë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë po u kërkon dy partive opozitare, LDK-së dhe LVV-së, të përfshihen në dialogun me Serbinë. Kjo përfaqësi diplomatike e shtetit më të fuqishëm në botë ka deklaruar për gazetën “Zëri” se nuk është koha që opozita të qëndrojë anash këtij procesi e as të krijojë pengesa drejt zgjidhjes gjithëpërfshirëse
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) po u kërkojnë dy partive opozitare, LDK-së dhe LVV-së, që të përfshihen në procesin e dialogut me Serbinë, duke theksuar se nuk është koha të qëndrohet anash procesit e as për të krijuar pengesa në zgjidhjen gjithëpërfshirëse.
Në një përgjigje për gazetën “Zëri” zyrtarë të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë thuhet se janë të inkurajuar që të shohin angazhim më të gjerë politik lidhur me dialogun me Serbinë. “Jemi të inkurajuar të shohim angazhim më të gjerë politik lidhur me dialogun me Serbinë dhe shpresojmë se edhe partitë tjera opozitare do të vendosin të marrin pjesë. Siç thotë presidenti Trump në letrën e tij, “Kosova duhet të shfrytëzojë këtë moment unik dhe të flasë me një zë të unifikuar”, thuhet në përgjigjen e tyre për “Zërin”.
Ndër të tjera në këtë përgjigje theksohet se nuk është koha që të krijohen pengesa për dialogun me Serbinë. “Tani nuk është koha për të qëndruar anash e as për të krijuar pengesa ndaj zgjidhjes gjithëpërfshirëse”, thuhet më tutje aty.
Përndryshe, Kuvendi i Kosovës ditë më parë ka votuar një rezolutë për dialogun me Serbinë, përmes së cilës caktohet edhe ekipi shtetëror për dialogun e të cilin do ta bashkëdrejtojnë kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti dhe ai i Nismës, Fatmir Limaj.