Amerika tregon çka po e shkatërron ekonominë e Kosovës

16:09 | 27 February 2019

ShBA thotë se korrupsioni po e shkatërron ekonominë e Kosovës.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë ka thënë se Kosova po frenon në rritjen ekonomike për shkak të korrupsionit.

Ambasada amerikane përmes një njoftimi për media në lidhje me vizitën që delegacioni i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA, bëri javën e kaluar në Kosovë, thekson se “Kosova duhet të vazhdojë të tregojë përparim kundër korrupsionit në mënyrë që të marrë financim dhe ndihmën e MCC-së.

Një delegacion nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-ve (MCC) javën e kaluar ka vizituar Kosovën për të diskutuar potencialin për përdorimin e një kompakt programi të MCC-së për të reduktuar varfërinë dhe për të promovuar rritjen ekonomike këtu. Bordi i Drejtorëve i MCC-së ka përzgjedhur Kosovën si të përshtatshme për një MCC kompakt program dhjetorin e kaluar. Kosova duhet të vazhdojë të tregojë përparim kundër korrupsionit në mënyrë që të marrë këtë financim dhe ndihmë.

Delegacioni, i udhëhequr nga zëvendëskryetarja e Departamentit për çështje kongresionale dhe marrëdhënie me publikun, Karen Sessions, u takua me zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës dhe me udhëheqës nga sektori privat. Ata diskutuan qasjen e MCC-së në luftën kundër varfërisë përmes rritjes ekonomike. Një faktor që frenon rritjen ekonomike është korrupsioni lidhur me të cilin rangimi global i Kosovës është i ulët. Kosova duhet të ripërzgjidhet nga Bordi i Drejtorëve të MCC-së çdo vit të zhvillimit kompakt, dhe do të vlerësohet përmes fletënotimit të MCC-së që përmban një vlerësim të përpjekjeve për reduktimin e korrupsionit.

Momentalisht MCC është duke zbatuar për Kosovën Programin e Pragut të grantit të vogël, i cili përkrahë investimet në efikasitetin e energjisë dhe punësimin e femrave në sektorin e energjisë, si dhe shtimin e të dhënave publike për gjyqësinë, mjedisin, dhe fuqinë punëtore.

Me 20 shkurt 2019 zëvendëskryetarja Sessions ndihmoi në nisjen e projektit “Gratë në Energji” që është pjesë e Programit të Pragut të MCC-së për Kosovën. Ky projekt mbështetë mundësitë për pjesëmarrjen e femrave si të punësuara dhe si ndërmarrëse në këtë sektor gjersa i rritë mundësitë ekonomike për femrat dhe përkrahë një program të bursave. Momentalisht zbatohet nga Fondaconi i Mijëvjeçarit i Kosovës dhe do të vazhdojë deri në vitin 2021, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA në Prishtinë, në lidhje me vizitën e delegacionit të MCC-së në Kosovë.

Komento: