Amerika zhvendos stafin e mbetur të Ambasadës në Kiev

21:33 | 14 February 2022

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken sapo ka njoftuar se administrata Biden po zhvendos stafin e mbetur të ambasadës në Ukrainë nga kryeqyteti Kiev në qytetin e Lviv, në perëndim të vendit.

Blinken dje justifikoi largimin e pjesës më të madhe të stafit nga ambasada në Kiev pasi sipas tij, rreziku i veprimit ushtarak rus në Ukrainë ishte shumë i lartë.

Të premten e kaluar, presidenti Joe Biden, u kërkoi qytetarëve amerikanë që të largoheshin nga Ukraina. Kjo përjashtoi personelin kyç të ambasadës që mbeti i vendosur në Kiev.

Sipas Blinken, një vendim i tillë u mor për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Blinken tha se Uashingtoni do të vazhdojë të punojë për një zgjidhje diplomatike të tensioneve në mes të Moskës dhe Kievit.

Personeli i Ambasadës u zhvendos përkohësisht në Lviv, që është rreth 80 kilometra nga kufiri perëndimor i Ukrainës, pranë Polonisë.

Komento: