Amerikanët sërish me kërkesë për shtyrje të afatit për targat

23:17 | 27 October 2022

SHBA-ja sërish me kërkesë për shtyrje të afatit për targat.

Teksa po afron afati i fundit për nisjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale të Serbisë në Kosovë, kërkesat për shtyrje të këtij afati sa vijnë e shtohen nga miqtë ndërkombëtarë të Kosovës.

Në këto orë të vona, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, përmes një postimi, tha se është e rëndësishme të shmangen tensionet dhe të shtyhet vendimi për targat e reja të automjeteve.

“Me rëndësi të shmangen tensionet dhe të shtyhet zbatimi i vendimit për targat e reja”, tha Hovenier.

Ai dënoi edhe “veprimet për frikësimin apo hakmarrjen kundër atyre që i kanë ndryshuar targat”.

Edhe Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, ka kërkuar që të shtyhet vendimi në fjalë, gjatë një bisede telefonike që ka zhvilluar sot me kryeministrin Albin Kurti.

“Fola me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti sot për të diskutuar rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat e reja, pa konfiskime apo gjoba. Gjithashtu diskutuam partneritetin tonë dhe qëllimet e përbashkëta drejt avancimit të integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, shkroi Chollet në Twitter.

Ndërkaq kryeministri Kurti, në postimin e tij për bisedën me Chollet, nuk ka treguar se është folur për çështjen e targave e as për kërkesën për shtyrje të këtij vendimi.

“Sot fola me dhe falënderova Derek Cholletin për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për integrimin euroatlantik të Kosovës. Siç tregohet në raportin e WJP-së, duke e renditur Kosovën si të parën nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të 2-in më të përmirësuar në nivel global, ne përsëri dëshmojmë se sundimi i ligjit shkon dorë për dore me paqen, sigurinë dhe demokracinë”, shkroi Kurti.

Vendimi për riregjistrimin e veturave me targa ilegale të lëshuara nga Serbia, me ato RKS, përfundon më 31 tetor, dhe institucionet e vendit nuk kanë dhënë shenja se do të ketë shtyrje të këtij afati.

Komento: