
Napoli ka triumfuar në finalen e Superkupës së Italisë, duke e mposhtur Bolognan.
Të besuarit e Antonio Contes fituan 2-0, ndaj ekipit të Vincenzo Italianos, me dy golat e shënuar nga David Neres.
Neres shënoi një supergol në pjesën e parë, me një goditje të jashtëzakonshme nga jashtë zonës.
Braziliani e gjeti golin në minutën e 39-të.
Kështu u mbyllë edhe pjesa e parë, teksa Napoli e gjeti edhe një gol në pjesën e dytë.
Ishte sërish Neres që shfrytëzoi gabimin e mbrojtjes së Bolognas – nga portieri Federico Ravaglia dhe mbrojtësi Jhon Lucumi – për të dyfishuar epërsinë e Napolit.
Neres shënoi golin e tij të dytë personal në minutën e 57-të.
Napoli nuk shënoi më deri në fund, dhe ndeshja u mbyllë me rezultatin 2-0.
Për Napolin, kapiteni i Kosovës dhe qendërmbrojtësi Amir Rrahmani kompletoi tërë ndeshjen. Ai e fitoi trofeun e tij të tretë me klubin italian. Rrahmani ishte një nga më të mirët në fushën e lojës për Napolin.
Rrahmani u vlerësua me notën prej 7.4 nga “Flashscore”, i dyti pas David Neresit që shënoi dy gola.
Ky ishte trofeu i tretë i Superkupës së Italisë për Napolin, pasi e kishte fituar më 1990 dhe 2014.
Napoli e mposhti në gjysmëfinalen e Superkupës 2025 Milanin, me shifrat prej 2-0.
Në anën tjetër, Bologna e eliminoi Interin në gjysmëfinale – me rezultatin pas 90 minutave që ishte 1-1 – duke triumfuar në penallti.
Napoli është kampion në fuqi i Serie A, ndërsa Bologna kishte fituar Kupën e Italisë.