
Carlos Fernandes është një nga figurat kryesore në stafin e trajnerit Ruben Amorim te Milani. Portugezi, i cili njihet edhe me nofkën “mini Mourinho”, ka marrë vëmendje të veçantë pas fitores në derbin ndaj Interit, ku kontributi i tij në prapaskenë është vlerësuar lart.
Sipas raportimit të gazetës italiane Gazzetta dello Sport, një pjesë e madhe e meritave për suksesin e kësaj jave i takojnë pikërisht Fernandesit, njeriut më të besuar të Amorimit, transmeton ORAinfo.
Rrugëtimi i tyre i përbashkët nisi gjatë kohës kur Amorim ishte futbollist te Benfica, ndërsa Fernandes punonte me ekipet e të rinjve të klubit portugez. Që nga ajo kohë, të dy krijuan një raport të afërt dhe filluan të shkëmbenin ide rreth futbollit dhe metodave të punës.
Bashkëpunimi vazhdoi te Casa Pia, Braga, Lisbona, Manchesteri dhe tashmë në Milano, ku Fernandes është bërë pjesë e rëndësishme e projektit të Amorimit.
Ndonëse roli i tij lidhet kryesisht me përgatitjen e goditjeve standarde, Fernandes bën shumë më tepër sesa kaq. Ai është i përfshirë edhe në analizën e kundërshtarëve, planifikimin e seancave stërvitore dhe përgatitjen taktike të skuadrës.
Vetë Amorim ka deklaruar më herët se Fernandes mund të bëhet një trajner edhe më i mirë se ai, duke e përshkruar marrëdhënien e tyre në një mënyrë që kujton raportin e famshëm mes Jose Mourinhos dhe Bobby Robsonit.
Për momentin, dy portugezët vazhdojnë të punojnë ngushtë së bashku, ndërsa afërsia e tyre u pa qartë edhe gjatë festimeve pas triumfit në derbin e Milanos.
Fernandes mbetet kështu një nga njerëzit kyç në stafin e Amorimit, duke kontribuar në shumë aspekte të lojës së Milanit, përtej specializimit të tij në goditjet standarde. /ORAinfo/