Analisti gjerman: Lajçaku ra në kurthin e Vuçiqit për Asociacionin që t’i lihet faji Kosovës – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Analisti gjerman: Lajçaku ra në kurthin e Vuçiqit për Asociacionin që t’i lihet faji Kosovës

14:46 | 28 Tetor 2020

Weber: Lajçaku ra në kurthin e Vuçiqit për Asociacionin që t’i lihet faji Kosovës.

Eksperti gjerman mbi zhvillimet politike në Ballkan, Bodo Weber, thotë se Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka rënë në kurthin e Vuçiqit për Asociacionin. Weber për Gazetën Express tha se duhet të gjendet një rrugë e tretë që Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe të mos e minojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, shkaktoi zhurmë të madhe për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe gjatë vizitës në Kosovë dhe në Serbi para dy javësh.

Ai tha fillimisht se Kosova duhet ta ndryshojë Kushtetutën për ta mundësuar themelimin e Asociacionit pasi sipas tij ajo nuk është Bibël.

Më pas në një sqarim shtesës, Lajçak tha se për ndryshimet në kushtetutë ka menduar për të dy shtetet Kosovën dhe Serbinë nëse duan të arrijnë marrëveshje ndërkombëtare.

Por analisti nga Berlini, Bodo Weber, e sheh si gabim të madh vendosjen e Asociacionit në tavolinë të bisedimeve nga ana e Lajçakut.

“Mendoj se përfaqësuesi special i BE-së, Lajçak, bëri një gabim të madh duke lejuar që çështja e Asociacionit të vendoset në tavolinën e bisedimeve në një fazë të negociatave ku ato de fakto janë të kufizuara në paranegociata të thjeshta, më saktësisht deri pas zgjedhjeve presidenciale në ShBA, për shkak që çështja e diskutueshme e Asociacionit mund të zgjidhet vetëm brenda kornizës së negociatave vërtet gjithëpërfshirëse, një kornize që e bën të qartë nga fillimi se integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm”, ka thënë Weber.

“Diskutimet e tanishme rreth “zbatimit” të marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2015 dhe të zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese e thekson këtë: Kjo nuk ka të bëjë thjesht me “zbatimin” – BE-ja në dialog politik e la çështjen kyçe të lidhur me Asociacionin të hapur, për t’u zgjidhur me një fazë të mëvonshme në proces, që nuk erdhi kurrë, që është përcaktimi dhe arritja e pajtimit për karakterin e Asociacionit”, ka shtuar tutje eksperti gjerman.

Weber thotë se diplomati sllovak është vënë në kurth nga Aleksander Vuçiqi, që ky i fundit t’ia lë fajin palës kosovare për negociatat.
“Megjithatë, mua më duket se duke e lejuar Vuçiqin që ta sjellë tani çështjen e Asociacionit, Lajçaku ka rënë në kurthin e presidentëve serbë që t’i çojnë negociatat në krizë dhe t’ia hedhin fajin palës kosovare. Për fat të keq, kjo gjithashtu bën që Lajçaku gjithnjë më shumë të duket i anshëm, më saktësisht pro-serb – edhe nëse ai nuk ka qenë i tillë”, tha ai.

Tutje, eksperti gjerman u shpreh se duhet të gjendet një rrugë e tretë që të formohet një Asociacion që nuk e minon funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

“Është e qartë se kjo nuk nënkupton as Asociacion me kompetenca ekzekutive, as diçka të kufizuar në një OJQ të thjeshtë. Duhet të gjendjet një rrugë e tretë që u shërben qëllimeve kryesore dhe origjinale prapa Asociacionit, që e adreson frikën e përbashkët të serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës dhe kështu të mundësohet integrimi (i vërtetë) i serbëve në shtetin dhe shoqërinë e Kosovës, pa e minuar funksionalitetin e shtetit të Kosovës, lëre më ofrimin e një mënyre për ndarje etnike territoriale në të ardhmen. Një zgjidhje e tillë duhet të gjendet në demokraci dhe në sundim të fuqishëm të ligjit, të cilat tash për tash mbesin të dobëta në Kosovë në tërësi dhe pothuajse nuk ekzistojnë në komunat me shumicë serbe”, tha ai.

I pyetur nëse procesin e dialogut Kosovë-Serbi e sheh si të ndërlidhur me zgjedhjet presidenciale në ShBA, Weber tha se administrata Trump me marrëveshjen e 4 shtatorit ka pasur qëllim të vetafirmoj veten dhe jo të zgjidhë mosmarrëveshjen strukturore mes dy shteteve.

“Fatkeqësisht po, sepse aktivizmi njëvjeçar rreth çështjes Kosovë – Serbi nga Richard Grenelli dhe administrata e Trumpit, që çoi në marrëveshjen e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, me qëllimin e tyre kryesor për vetafirmim, pa e zgjidhur mosmarrëveshjen strukturore të statusit që Serbia e ka me Republikën e Kosovës, i ka minuar përpjekjet e BE-së që përfundimisht të arrihet te rivendosja e bisedimeve në një marrëveshje vërtet përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse – dhe pas dy vjetëve të performancës shkatërruese të ish-shefes së BE-së për negociata, Federica Mogherini. Prandaj, ne do të duhet të presim që administrata e ardhshme të hyjë në zyrë me qëllim që të rregullohet kjo tollovi transaltantike”, tha Weber.

Dialogu ka qenë në bllokadë për më shumë se një muaj pas insistimit të Serbisë që të diskutohet çështja e Asociacionit kërkesë që është refuzuar vazhdimisht nga Kosova.

Megjithatë, pala kosovare dhe ajo serbe nesër do të takohen në Bruksel për të negociuar në nivelin e ekspertëve.

Në kryeqytetin belg, Skender Hyseni dhe Marko Gjuriq do të diskutojnë për pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronat, tema këto që janë konfirmuar nga vetë Bashkimi Evropian për Gazetën Express ditën e djeshme, e që rrjedhimisht përjashtojnë diskutimin për Asociacionin.

Komento: