Analisti politik në Maqedoninë e Veriut, Isen Saliu, për FrontOnline ka folur për takimin mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Republikës së Maqedonisë Veriore, që do të mbahet me 17 nëntor në Prishtinë. Për të simbolika e takimit paraqet rëndësi, duke theksuar se është mbledhja e parë e dy qeverive.
‘’Sa i përket kësaj mbledhje fillimisht mund të themi se është e rëndësishme simbolika e tij, pasi është mbledhja e parë e përbashkët e qeverive të dy vendeve, e mbi të gjitha mbledhja e parë e përbashkët e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut me një qeveri të vendit fqinj. Nëse kësaj i shtojmë vizitën e kryeministrit kosovar Albin Kurti në Maqedoni, që ishte kryeministri i parë që u prit nga qeveria e re në Shkup, mendoj se kjo flet mjaftueshëm sa i përket raporteve formale dhe simbolike mes dy vendeve’’, thotë ai.
Ai thotë se në këtë takim do të diskutohen edhe tema të rëndësishme në interes të të dyja vendeve, duke thënë se kanë vëmendje të veçantë për këtë mbledhje, duke thënë se presin që të caktohen edhe afatet konkrete lidhur me projektet e rëndësishme për të dyja vendet.
‘’Mirëpo më të rëndësishme se raportet formale mes dy vendeve, janë raportet reale dhe esenciale. Sipas paralajmërimeve edhe në këtë aspekt mbledhja e përbashkët e dy qeverive do të trajton tema të rëndësishme në interes të qytetarëve të dy vendeve siç janë tema nga sfera e ekonomisë dhe ajo për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve. Opinioni shqiptar në Maqedoni dhe jo vetëm, me vëmendje të veçantë e pret këtë mbledhje, me shpresë se tashmë do të caktohen edhe afate më konkrete lidhur me projektet e rëndësishme për dy vendet, siç është ndërtimi i rrugës Tetovë-Prizren, kurse vendosja e kontakteve më të drejtpërdrejta mes dy qeverive dhe ministrave të saj, mund të ketë impakt pozitiv edhe në përshpejtimin e ndërtimit sa më të shpejtë të rrugës Shkup-Bllacë’’ thotë ai.
Analisti Iseni, potencon se Kosova dhe RMV, mund të bashkëpunojnë ngushtë edhe në procesin euroatlantik.
‘’Maqedonia dhe Kosova mund dhe duhet të bashkëpunojnë më ngushtë edhe në procesin e integrimit euroatlantik, kur e dimë se Maqedonia tashmë është vend anëtar i NATO-s dhe vend që konsiderohet se gati i ka plotësuar kriteret e Kopenhagës për fillim të negociatave me BE-në. Në këtë drejtim Maqedonia mund të ndihmon mjaft Kosovën, me përvojën e saj në plotësimin e kushteve të nevojshme’’, tha Iseni për FrontOnline.