Carlo Ancelottit ka nisur t’i lëkundet karrigia në bankinën e Real Madridit.
“Los Blancos” po përballen me rezultate të zbehta në ndeshjet e fundit, ndërsa nuk e kanë gjetur golin qe 183 minuta.
Reali humbi nga Barcelona në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Copa del Rey, 0:1, ndërsa më pas barazoi pa gola me Real Betisin në La Liga, duke mbetur 9 pikë prapa gjigantit katalunas.
Kjo ka bërë që, pas fitores së madhe 5:2 kundër Liverpoolit në “Anfield Road”, gjithçka të ndryshojë në harkun e pak ditëve.
E tash, mediat spanjolle raportojnë se madrilenët po e kërkojnë pasardhësin e Carlo Ancelottit.
Emisioni “El Chiringuito”, përmes gazetarit Eduardo Inda e lansoi mbrëmë një kandidat potencial për t’i marrë në dorë kampionët e Spanjës, të Evropës dhe të botës.
Sipas tyre, në “Santiago Bernabeu” mund të përfundojë ish-trajneri i Tottenhamit dhe i Paris Saint-Germainit, Mauricio Pochettino.
Trajneri argjentinas është i lirë për momentin dhe është vënë në dispozicion që nga humbja e Realit nga Barcelona.