Andin Hoti: I kemi pranuar rezultatet e tetë personave të zhdukur, IML duhet t’i verifikojë

09:09 | 26 Janar 2024
andin-hoti:-i-kemi-pranuar-rezultatet-e-tete-personave-te-zhdukur,-iml-duhet-t’i-verifikoje


Kryetari i delegacionit të Kosovës për Personat e Pagjetur në bisedime me Serbinë, Andin Hoti tha se i kanë pranuar rezultatet e mbetjeve mortore që dyshohet se i përkasin 8 personave.

Ai për Front Online ka thënë që janë përafërsisht mostra të tetë personave të zhdukur gjatë luftës.

“Na kanë ardh disa rezultate, por ka edhe shumë të tjera që nuk i kemi pranuar ende. Në fakt dje i kemi pranuar disa, nuk po e them numrin e saktë, por janë diku rreth shtatë ose tetë personave që kemi pranuar rezultate të vitit të kaluar”, ka thënë ai për Front Online.

Ai thotë se janë mbi 60 mostra që i kanë dërguar për ADN.

“Janë edhe shumë mostra që i kemi dërgu, janë mbi 60 mostra që i kemi dërgu të cilat i presim raportin prej ADN-së. Numrin e saktë nuk mund të them deri t’i verifikojmë, këto duhet të verifikohen në IML, janë disa procedura që duhet me i ndjek ne, dhe pastaj do të bëhen publike, por përafërsisht prej 5-8 janë identifiku, janë persona të rinj, të zhdukur”, u shpreh ai për Front Online.

Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 rreth 13.000 njerëz nga të gjitha bashkësitë etnike u vranë, mbi 800.000 u zhvendosën dhe rreth 1.600 janë të zhdukur.

 

Komento: