Kosova edhe këtë vit ka aplikuar për anëtarësim në Interpol.
Serbia është e vendosur dhe nuk do të lejojë që Kosova të bëhet pjesë e Interpolit.
Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq ka thënë se Serbia do të vazhdojë një luftë të vendosur diplomatike për të parandaluar Kosovën të bëhet pjesë e Interpolit.
“Ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur interesat tona kombëtare dhe për të parandaluar goditjen brutale të ligjit ndërkombëtar, politizimin dhe kriminalizimin e kësaj organizate policore profesionale”, ka deklaruar Stefanoviq për ‘Tanjug’.
Ai theksoi se përfaqësuesit e Serbisë do të vazhdojnë të flasin me vendet anëtare të Interpolit në mënyrë që t’u jap atyre edhe një herë argumentet e pakundërshtueshme që tregojnë përse ‘pranimi i Kosovës do të kishte pasoja të gjera për punën e ardhshme të Interpolit’.
“Nuk do të lejojmë që ata të cilët kanë kryer krime të bëhen luftëtarë të krimit sepse është e qartë që diçka e tillë është e pamundur”.
Stefanoviq shtoi se Serbia edhe para sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit, e cila do të mbahet në tetor në Kili, do t’i shpalos të gjitha argumentet ligjore të cilat ‘tregojnë qartë se Kosova nuk mund të jetë pjesë e Interpolit për shkak se ajo është pjesë e Serbisë’.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm kosovar, Behgjet Pacolli është shprehur i bindur se këtë vit, Kosova do të bëhet pjesë e organizatës më të madhe policore.