Anëtarët e KQZ-së zhvatin buxhetin

08:08 | 20 December 2018

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e të cilëve iu ka përfunduar mandati prej tetë muajsh dhe që prej atëherë nuk kanë kryer asnjë detyrë kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me paga të majme.

Ka gati një vit që anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) paguhen për punën që s’e bëjnë, shkruan sot Koha Ditore.

Në fund të muajit mars atyre iu ka përfunduar mandati, por prej atëherë kanë vazhduar t’i marrin pagat e majme mujore, kanë udhëtuar jashtë vendit me para të taksapaguesve, kanë shpenzuar mijëra litra karburante për të bërë dhjetëra e mijëra kilometra rrugë me vetura zyrtare, kanë harxhuar mijëra euro në emër të drekave e darkave, kanë bërë shumë shpenzime telefoni, sikurse i mbajnë në pronësi shumë asete teknologjie të KQZ-së.

Në koalicionin për ta bërë këtë zhvatje buxheti bëjnë pjesë njerëz nga të gjitha partitë e përfaqësuara në KQZ, të pushtetit e të opozitës. Po kështu, edhe të të gjitha komuniteteve.

Dhe një ambient i këtillë përfitimi u është mundësuar pas përcaktimit të presidentit Hashim Thaçi që të mos i emërojë në afat ligjor anëtarët e rinj të KQZ-së, pasi atyre të mandatit paraprak iu ka skaduar mandati. Në mungesë të të tilla emërimeve, të vjetrit kanë realizuar përfitime nga KQZ-ja që nga fundi i marsit, ani se prej atëherë nuk kanë mbajtur asnjë mbledhje dhe nuk kanë realizuar asnjë detyrë zyrtare.

KQZ-ja ia ka mundësuar “Kohës Ditore” qasjen në shpenzimet që i kanë bërë prej tetë muajsh anëtarët, për të cilët kryetarja e këtij institucioni, Valdete Daka, konsideron se nuk kanë mandat, prandaj prej tetë muajsh nuk ka mbajtur ndonjë mbledhje me ta.

Komento: