Anëtari i KQZ-së në krye të strukturave të LDK-së, përzgjedhja u bë kundërligjshëm

21:33 | 08 May 2019

Tetë anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u emëruan nga Presidenti Thaҫi, e ky emërin u bë me datën 28 të muajit mars.

Tetë anëtarët e përbërjes së re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë Sami Hamiti, Florian Dushi, Adnan Rrustemi, Nazlie Bala, Alfred Kinolli, Ćemailj Kurtiši, Ercan Şpat dhe Stevan Veselinoviq.

Florian Dushi, anëtar i KQZ-së nga LDK-ja, të hënë, është zgjedhur kryetar i degës së II të LDK-së, në Prishtinë.

Tani, sipas “Ligji nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës’, Dushi nuk mund të zotërojë edhe një post të lartë në parti politike dhe njëherit të jetë pjesë e KQZ-së.

Sidoqoftë, nenit 61.8 i ligjit në fjalë thotë: “Personi nuk ka të drejtë të jetë anëtar i KQZ-së nëse është”, pika “e” e këtij neni e qartëson kësisoj: “zotërues i një posti të lartë publik ose i një posti të lartë në parti politike”.

Për interpretimin e këtij ligji lajmi.net ka kontaktuar me ish-kryetarin i KQZ-së, Mazllum Baraliu. Ai tha se rasti i Dushit është konflikt interesi, pasi thotë se nuk do të ishte dashur të ishte pjesë as në degë, e as në nëndegë të partisë.

“Jo, do të duhej të mos ishte as udhëheqës e as anëtar në strukturat udhëheqëse të partisë, e strukturat udhëheqëse janë kryesia dhe këshilli nacional ose këshillet qendrore. Është konflikt interesi nga ana tjetër, aty thotë që në strukturat udhëheqëse të partisë nuk mund të jetë. Ndërkaq dega është pjesë e strukturës të partisë, megjithatë as në degë, e as në nëndegë nuk ish dashtë të jetë sepse ata japin betimin dhe është konflikt interesi mendoj unë edhe nëse nuk është e kundërligjshme, që të jemi të qartë”, ka thënë ai.

Më pas, Baraliu tha se një anëtari të KQZ-së duhet të jenë të paanshëm dhe të mbrojë interesat e KQZ-së, por fatkeqësisht, thotë ai, anëtarët janë politikisht të orientuar.

“Është konflikt interesi sepse si anëtar i KQZ-së, si kategori kushtetuese dhe është betimi që e bëjnë ata që absolutisht nuk u lejohet as në kuptimin politik, faktik edhe substancial të veprimtarisë të një anëtari të KQZ-së të jetë i njëanshëm. Ata duhet të jenë të paanshëm dhe të mbrojnë interesat e KQZ-së dhe interesat e Kosovës, por fatkeqësisht dhe faktikisht është se anëtarët janë politikisht të orientuar”, ka qartësuar Baraliu.

Lajmi.net ka dërguar pyetje në adresë të KQZ-së, por deri në publikimin e artikullit nuk ka marr asnjë përgjigje.

Komento: