Anëtari i LDK’së “shpërthen” në pakënaqësi pasi s’u kandidua për deputet: Votova kundër që Vjosa Osmani të ishte bartëse e listës

21:34 | 12 Maj 2026

Anëtari i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Xhavit Ukaj, ka reaguar pasi tha se iu kumtua që nuk u përfshi në listën e kandidatëve për deputet në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, pavarësisht se, sipas tij, ishte propozuar unanimisht nga Dega e LDK-së në Prizren.

Në një reagim në rrjetet sociale, Ukaj tha se kandidatura e tij nuk u pranua nga strukturat aktuale drejtuese të partisë, gjë që e cilësoi si vendim me të cilin nuk pajtohet.

Ukaj bëri të ditur se gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm kishte votuar kundër që Vjosa Osmani të ishte bartëse e listës zgjedhore.

“Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm kam votuar kundër që Vjosa Osmani të jetë bartëse e listës. Jo nga inati personal dhe jo sepse kam qenë kundër bashkimit. Përkundrazi, gjithmonë kam qenë që LDK të bashkohet dhe të ecim të gjithë bashkë. Por kam besuar dhe vazhdoj të besoj se bashkimi duhet të jetë i vërtetë — një bashkim që respekton dhe vlerëson ata që kanë qëndruar pranë LDK-së në çdo kohë, sidomos në ditët më të vështira”, deklaroi Uka.

Sipas Ukajt, bashkimi brenda LDK-së duhet të ndërtohet mbi respektimin e kontributit dhe besnikërisë së anëtarëve që, siç tha ai, kanë qëndruar pranë partisë edhe në periudhat më të vështira.

“Në këto zgjedhje do të jem përkrah atyre që i kanë qëndruar LDK-së besnikë në çdo kohë. I ftoj të gjithë anëtarët, aktivistët dhe simpatizantët që të angazhohen fuqishëm për LDK-në dhe të votojnë njerëzit që gjithmonë kanë punuar për LDK-në, në çdo kohë dhe në çdo rrethanë”, tha më tej ai.

Komento: